Aktuale
Projekti për teleferikun në Kalanë e Prizrenit s’po sheh dritë

Tenderi për ndërtimin e teleferikut për qasje më të lehtë në Kalanë e Prizrenit po bëhet udhë pa krye.
Nga ankesat e shumta, eksperti i Gjykatës së Tenderëve po kërkon që Komuna e Prizrenit lëndën për këtë aktivitet të prokurimit ta kthejë në rivlerësim, shkruan Ndërtimi.info
Kjo erdhi pas ankesës që kishte dërguar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) konsorciumi “Energoremont D.D-Dega në Kosovë&Energoremont D.D&KAG Asphalt Company” Sh.P.K.
Ankesa e tyre ishte me pretendimet se në dhënien e tenderit për ndërtimin e teleferikut për qasje më të lehtë në Kalanë e Prizrenit nuk janë respektuar nenin 1 i Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), që ka të bëjë me qëllimin, shfrytëzimin më efikas, më transparent dhe më të drejtë të fondeve publike.
Po ashtu si shkelje përmendet të jetë bërë edhe në nenin 6, nenin 59, 62 si dhe nenin 53 dhe 49.
Ndërsa, për gjithë këtë situatë të krijuar që nuk po është punë t’i vihet në fund, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka kishte fajësuar ish-drejtorin e Urbanizmit nga PDK me atë se vetë ish-drejtori kishte bërë kërkesë për teleferikun dhe të njejtën vetë e kishte aprovuar.
Haskuka nuk kishte përmendur emra por kishte thënë se ky tender do të anulohet pasi që sipas tij bie ndeshë Ligjin për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Ujërat.
Kurse, Komuna e Prizrenit për këtë tender kishte parashikuar 3 milionë e 470 mijë euro për të ndërtuar teleferikun deri në Kala. Paraprakisht këtë projekt e kanë refuzuar edhe shoqëria civile, por edhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, raporton Ndertimi.info.
Por, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha një vit më parë kishte deklaruar për Ndërtimi.info se për projektin ishin konsultuar dhe kanë qenë në darkordancë të plotë për këtë projekt me shoqërinë civile dhe partitë politike.
“Komuna e Prizrenit në konsultim me shoqërinë civile dhe autoritet partiake, e ka diskutuar këtë projekt dhe kemi marrë vendim unanim, ‘po’, Prizrenit dhe Kalasë së Prizrenit i nevojitet një ndërtimi i teleferikut. Pas kësaj dakordance të plotë, ne kemi hapur politikat tenderuese”, pati deklaruar Berisha.
Kurse drejtori ekzekutiv i organizatës “Ec Ma Ndryshe”, Edon Mullafetahu në po atë kohë kishte thënë qartazi se ky vazhdimi i procesit tenderues të këtij projekti është shkelje e ligjit.
“Paraqet një shkelje ligjore me vazhdimin e procesit të tenderimit. Nëse projekti ideor nuk ka kaluar nga institucionet dhe nuk konsumohet edhe pak kohë për harmonizimin e projektit në përputhje me vlerësimet e institucioneve, atëherë vazhdimi i procedurave nënkupton shkelje ligjore, që është direkt shkelje e Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe Ligjit për Qendrën Historike në Prizren”, ka thënë Mullafetahu.
Ai madje kishte dhënë një skenar të mundshëm se çka mund të bëjë Komuna e Prizrenit.
“Ajo pse ne insistojmë që urgjentisht ose menjëherë komuna duhet ta ndalë procesin e tenderimit është se një skenar i mundshëm është se buxheti i taksapaguesve të Kosovës të dëmtohet. Në qoftë se shpallet fituesi dhe ai fitues hyn në marrëdhënie kontraktuale me komunën dhe në qoftë se komuna nuk mund t’i sigurojë lejet për realizmit të projektit dhe kjo nënkupton shkëputje të njëanshme të kontratës nga ana e Komunës, që duhet t’i dëmshpërblejë 10% të vlerës së projektit, diku 340-350 mijë euro”, shtoi Edon Mullafetahu, udhëheqës i “Ec Ma Ndryshe”.
Se Komuna e Prizrenit ka vepruar në jo-koordinim me faktorët tjerë dhe ligjin, e kishte thënë edhe kryetari i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi, Shafi Gashi.
“Komuna e Prizrenit ka vazhduar procedurat jo shumë në koordinim me faktorët tjerë, qoftë me shoqërinë civile, qoftë institucionet që janë kompetente, por qoftë edhe në harmoni me ligjin, më tutje nuk kam informacion”, ka thënë Gashi.
Projekti i parë për një teleferik që lidh qytetin e Prizrenit me Kalanë e Prizrenit daton nga viti 1969, produkt i një grupi slloven që ka bërë edhe gërmime në Kala.
