Aktuale
Nga 2250 kontrata, Komuna e Prishtinës publikoi vetëm 26

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti para pak ditëve u paraqit në një konferencë për media ku bëri publike platformën më të re digjitale “Kontratat e Hapura”.
Kryetari tha se secila kontratë e nënshkruar, me të gjitha detajet, që nga fillimi i procedurave të prokurimit e deri tek realizmi i kontratës, do të jetë online dhe e qasshme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Por, deri më tani nuk doli siç tha kryetari Ahmeti.
Në këtë Platformë digjitale, që nga dita e lansimit të sajë dhe deri më tash janë publikuar vetëm 26 kontrata, ndërsa janë publikuar 120 aktivitete të prokurimit –“njoftime për dhënie të kontratës”, shkruan lajmi.net.
Zyra e informimit e Komunës së Prishtinës nuk ka dashur të japë asnjë sqarim lidhur më atë nëse do të bëhen publike të gjitha kontratat, dhe kohën e publikimit.
Disa nga kontratat e publikuara janë: “Rregullimi dhe rrethimi i varrezave të Komunës së Prishtinës”, “Ndërtimi i rrugës Rimanishtë – Siqevë”, “Furnizimi me libra për Drejtorinë e Kulturës”, “Sanimi i rrëshqitjeve të dheut”, “Vendosja e shtyllave antiparking për lirimin e hapësirave publike dhe gjelbruese”, “Deratizimi i podrumeve dhe garazheve publike dhe i rrjetit të kanalizimit të qytetit të Prishtinës-llotot 2”, etj.
“Në platformë, përveç që shihen procedurat dhe detajet e kontratave, shënjohet edhe dinamika e realizimit të secilës kontratë: me ngjyrë të gjelbër dallohen kontratat e përfunduar në kohë; me ngjyrë të verdhë ato që janë gati në fund të afatit kohor; dhe me ngjyrë të kuqe kontratat që kanë kaluar kohën e paraparë dhe nuk janë përfunduar ende. Kjo e shton përgjegjësinë publike edhe të institucionit për t’i ndërmarrë masat e duhura, edhe të kompanive për t’i përfunduar me kohë punimet”, u tha në ditën e lansimit të kësaj Platforme digjitale.
Platforma “Kontratat e Hapura” është projekt i realizuar nga Open Data Kosovo dhe Girls Coding Kosovo, mbështetur nga UNICEF-i dhe ADA.
