Aktuale
Rruga që lidhë Gjilanin me fshatrat Livoç i Poshtëm-Cërrnicë, në gjendje të mjerueshme

Rruga e cila lidhë komunën e Gjilanit me fshatin Livoç i Poshtëm-Cërrnicë si dhe me fshatrat e tjera Kravaricë e Gumnishtë është në gjendje të mjerueshme.
Që nga paslufta e deri më sot kjo rrugë nuk është asfaltuar asnjëherë të vetme.
Banorët e fshatit Cërrnicë janë ankuar për anashkalimin që i bëhet këtij fshati nga Komuna e Gjilanit, pasi këta të fundit nuk kanë infrastrukturë të mirë rrugore, nuk kanë rrjet të kanalizimit e as ujësjellës.
Sipas tyre, kryetari aktual Lutfi Haziri duket në këtë fshat vetëm në kohë fushate.
Përpos projektit për ndërtimin e rrugës kryesore në fshatin Cërrnicë, kjo rrugë lidhëse nuk është në planin buxhetor për vitin 2018.
“Kjo rrugë të dërgon nga ferma e pulave Konsoni në rrugën Cernicë – Livoç – Gjilan shikone ku nje veturë që nuk e ka ditur terenin se si është dëmtuar e ka thy karterin dhe ka rrjedh vaj në rrugë…që në vendet tjera me të rrjedh vaji në rrugë maksimum 2000 euro gjobë”, ka shkruar në Facebook, Elhami Hasani banor i fshatit Cërrnicë duke ia bashkanagjitur edhe disa fotografi të kësaj rruge.
Vlen të theksohet se në dhjetor të vitit të kaluar Komuna e Gjilanit ka nënshkruar kontratën në vlerë prej 800 mijë eurove për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në fshatra.
Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri ka bërë të ditur se ndërtime do të ketë në Çelik, Pidiq, Bresalc, Llashticë, Zhegër, Velekincë dhe Selishtë.
