Aktuale
MMPH kërkon nga Banka Botërore investime për pendat e ujit

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot është takuar me ushtruesin e detyrës së Menaxherit të Bankës Botërore për Kosovë, Diego Garidd, specialistin për Menaxhimin e Burimeve Ujore, TTL, Pieter Waaleëijn, specialisten për Menaxhimin e Burimeve Ujore, CO TTL, Trandelina Baraku dhe specialistin e Lartë të Mjedisit, Javaid Afzal.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për ecurinë e projektit të Bankës Botërore për Mbrojtjen e ujit dhe projektit për kanalin e Ibër – Lepencit si dhe janë prezantuar të gjeturat e raportit të studimit mbi “Gjendjen e Sigurisë së Ujit në Kosovë” ( Water Security Outlook).
Sipas kumtesës për media, Matoshi me këtë rast tha se Kosova ka nevojë për partner dhe donatorë të cilët mbështesin projekte për mbrojtjen e ujit e në veçanti kërkoi që MMPH-ja të ndihmohet në projektet që kanë të bëjnë me ndërtim të pendave të ujit.
Ndër tjerash, Matoshi ka siguruar përfaqësuesit e Bankës Botërore se MMPH-ja është e gatshme t’i kryer të gjitha obligimet e saja në projektin e kanalit të Ibër Lepencit.
Ndërsa Diego Garidd tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka një rol kyç në projektet e Bankës Botërore.
“Vitin e kaluar kemi aprovuar Strategjinë tonë Shumëvjeçare që është Korniza për Partneritet me Vendin me tri shtylla, njëra prej të cilave është e lidhur me çështjen e mjedisit. Kemi disa projekte që prekin përgjegjësit dhe punën që bënë Ministria e Mjedisit. Jeni ministria kyçe për ne dhe Banka Botërore është e interesuar të vazhdojë këtë bashkëpunim dhe presim prioritetet Tuaja në këtë fushë”, tha Garidd.
Specialisti për Menaxhimin e Burimeve Ujore, TTL, Pieter Waalewijn gjatë këtij takimi prezantoi të gjeturat e studimit mbi gjendjen e sigurisë së ujit në Kosovë duke vlerësuar se Banka Botërore është e interesuar të ndihmojë MMPH-në me analiza dhe investime për çështjen e mbrojtës së ujit në Kosovë.
