Aktuale
Tri projektet e rëndësishme që planifikohen të bëhen në Prishtinë

Krijimi i hartave zonale, parkingjet nëntokësore dhe ndërtimi i shkollave me PFI janë tri çështjet bazë të cilat Komuna e Prishtinës po synon që t’i finalizojë në të ardhmen.
Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për medie, Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota.
Me procesin e krijimit të hartave zonale siç thotë ai po synohet që të bëhet eliminimi i diskriminimeve dhe të vendoset një koeficient i njëjte për të gjithë. Proces ky që parashihet të zgjasë rreth 18 muaj.
“Qëllimi është që të eliminohen gabimet që kanë qenë dhe të bëhet një planifikim i barabartë. Ne po tentojmë që krahas përpilimit të hartës zonale t’i eliminojmë këto pabarazi duke vendosur koeficientin e njëjte për çdo lagje, i cili vlen njëjte për të gjithë”, është shprehur ai.
Për projektin e dytë, përkatësisht ndërtimin e parkingjeve nëntokësore, ai ka deklaruar se është një proces shumë bashkëkohore që do të sjellë një ndryshim në kryeqytet.
“Projekti i parë që po ndodh në qytet në formën e partneritetit publiko privat. Vlera e parashikuar e investimit është përafërsisht 12 milion euro, kohëzgjatja e koncesionit 25- 40 vite. Vendndodhja e parkingut është tek fakulteti filologjik, përballë kishës janë 13.990 metra katror, do të ndërtohet në dy nivele, me 900 deri 1000 vend parkingje në dy etazha. Pjesa mbi sipërfaqe do të kthehet në gjelbërim, në një park të rëndësishëm për qytetin e Prishtinës. Lokale do të ketë vetëm në rrugën George Bush, afër radio Prishtinës, duhet të respektohet pika zero kur është një disnivel maksimalisht 10 lokale në 50 metra katror, ka deklaruar Bashota.
Ndërkohë që ndërtimi i shkollave me PFI është një iniciative përmes së cilës partnerit privat financon ndërtimin e shkollave.
“Ndërtimi i shkollave me PFI është një formë e partneritetit privat quhet Private Finance Iniciative që do të thotë se partneriteti privat e financon ndërtimin e shkollave e ndërton dhe mbas 15 vjetësh varësisht prej fisibilitetit ia kthen komunës të njëjtën në pronësi dhe në ndërkohë i mirëmban ato”, ka deklaruar ai.
Projektet vlerësohen si shumë të rëndësishme dhe tashmë kanë filluar punimet e detajuara.
