Aktuale
Komuna e Ujësjellësi, ‘ping-pong’ për përgjegjësinë rreth ujërave fekale në Prishtinë
Ndërtimet e reja po bëhen problem për banorët e lagjes Arbëria 3 në kryeqytet.
Sistemi ekzistues i pusetave në rrugën “Spiro Moisiu”, i ndërtuar shumë vite më parë, ishte paraparë për vetëm 20 shtëpi, numri i të cilave tash ka arritur në 320, raporton KTV.
Qarkullimi i ujërave fekale nëpër rrugë dhe kundërmimi, po ua vështirësojnë qëndrimin jashtë shtëpisë atyre që jetojnë në këtë pjesë të kryeqytetit.
Me këtë problem, banorët e lagjes po përballen tash e 3 muaj dhe për këtë janë ankuar në komunë.
Në emër të banorëve të lagjes, Sali Gashi thotë se edhe ato intervenime që janë bërë nuk kanë kryer punë.
Përmes telefonit, Komuna e Prishtinës përgjegjësitë për këtë problem ia ka hedhur Ujësjellësit Rajonal Prishtina.
Ndërkaq, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, Arjeta Mjeku, i ka thënë KTV-së, se komuna e ka bërë shprehi që gjithmonë ta hedhë fajin tek Ujësjellësi.
Derisa këto dy institucione fajësojnë njëra-tjetrën, banorët e lagjes do të bashkëjetojnë me ujërat fekale mbi tokë.
Ndërsa, linjat e pusetave në gjithë kryeqytetin janë të vjetra, të dimensionuara dhe të vendosura shumë kohë më përpara.
Ndërtimet e reja, pa intervenime në infrastrukturën bazike, kanë ndikuar në ngarkesë më të madhe shkarkuese të sistemit të kanalizimit.
Për rrjedhojë, shumë shpesh situata del jashtë kontrollit.



