Aktuale
Bashkësive fetare u mundësohet shfrytëzimi i pronës komunale pa procedurë të konkurrimit

Me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes së vlerës së pronës komunale, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka iniciuar projektligjin për Dhënien në Shfrytëzim të pronës komunale.
Por, në të u është dhënë mundësia edhe bashkësive fetare që të shfrytëzojnë pronën shoqërore, duke mos hyrë fare në procedura të konkurrimit, raporton KTV.
Ky propozim nuk ishte pranuar nga grupi punues, por pastaj u inkuadrua në projektligj nga Qeveria.
Me këtë nuk pajtohen në Asociacionin e Komunave të Kosovës, të cilët thonë se përfshirja e tyre bie ndesh me qëllimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe komunal.
Në MAPL kanë thënë se kjo pjesë ka qenë rekomandim i OSBE-së, por ishte refuzuar nga grupi punues i tyre dhe nuk i dinë arsyet e ndryshimeve të mëvonshme.
“Grupi punues gjatë procesit të draftimit, duke marrë parasysh se qëllimi kryesor i këtij ligji është zhvillimi ekonomik lokal, ka konsideruar se mund të jetë objekt trajtimi i ligjeve tjera sektoriale, legjislacionit për planifikim hapësinor , që flasin për standarde të caktuara, duke përfshirë standardet për objektet shkollore, sociale, kulturore, fetare apo objekteve tjera për qëllimet e interesit të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen nga zyra për media e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
E, në Zyrën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Kosovë tregojnë se nuk kanë qenë në dijeni se sugjerimi i tyre është futur në projektligj pas diskutimeve publike.
KohaVisioni ka kërkuar një koment për këtë edhe nga Zyra e Kryeministrit, por ata nuk janë përgjigjur.
Projektligji është votuar nga qeveria dhe është dorëzuar në Kuvend të Kosovës.
E, nëse projektligji votohet në Kuvend, atëherë këtë mundësi do ta kenë gjashtë bashkësitë fetare: islame, ortodokse serbe, kisha katolike, bashkësia hebreje, ajo protestante ungjillore dhe bashkësia tarikate.
