Aktuale
Asgjë s’është bërë për deponinë në Mirash që dy vjet më parë gjermanët e krahasonin me bombë atomike

Kanë kaluar dy vjet qëkur për herë të fundit u alarmua për gjendjen e Deponisë Rajonale të Mirashit.
Në studimin e fundit të bërë nga ekspertë gjermanë nga organizata gjermane GIZ, rreziku doli të jetë sa i një bombe atomike, raporton KTV.
Megjithatë, kryeshefi i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive, Abdullah Haxhiu, tregon se deri tash nuk është investuar asgjë për rehabilitim.
Së fundi tregon se ka shtruar kërkesën për rritjen e tarifave ndaj kompanive, në mënyrë që ta rrisin buxhetin.
Ndërsa gjatë vitit të ardhshëm do të bëhet edhe një studim i ri për të parë se si mund të intervenohet.
Organizata që punon për çështje të mjedisit thotë se kësaj deponie nuk i nevojiten analiza të tjera. Ajo thjesht duhet të mbyllet urgjentisht.
Por këtë kërkesë e ka refuzuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke thënë se dëmi do të ishte edhe më i madh.
Në MZHE thonë se gjendja është neglizhuar nga qeverisjet e kaluara, por aktualisht janë duke e shqyrtuar kërkesën e kryeshefit të kompanisë për ngritjen e tarifave.
“MZHE-ja ka incizuar procesin e rishikimit të tarifave të deponimit të mbeturinave dhe presim shumë shpejt që të përcaktojmë një tarifë, e cila do të reflektojë në të hyrat reale të kompanisë, që do të mundësonte funksionimin e kompanisë me standarde më të mira dhe kësisoj do t’i zgjidhnim problemet”, ka thënë Lulzim Demolli, shef i Kabinetit të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik.
Për po të njëjtën deponi, studim fizibiliteti u pat bërë edhe në vitin 2010, me investim të Bankës Botërore. Njësoj ishte konstatuar se ka rrezik që ujërat e zeza mund t’i helmojnë ato nëntokësore. Por as atëherë institucionet nuk kanë bërë asgjë për ta mbrojtur mjedisin.
