Aktuale
Kërkohet super-ekspertizë për rastin e vdekjes së Tafil Tafallarit

Pas 5 muajve, pala mbrojtëse për rastin e punëtorit Tafil Tafallri që humbi jetë në vend-punishten e kompanisë “Bechtel&Enka” i ka paraqitur Gjykatës ekspertizën e bërë nga ta. Kjo pasi që pala mbrojtëse kishte kundërshtuar ekspertizën e ekspertit të komunikacionit në seancën e 2 marsit të këtij viti.
Meqë tanimë Gjykata Themelore në Ferizaj dega në Kaçanik ka të dyja ekspertizat të kundërta njëra me tjetrën, gjyqtari i rastit Shabi Idrizi ka vendosur që për rastin e vdekjes së 41 vjeçarit të kërkoj super-ekspertizë nga departamenti i veçantë i Fakultetit Teknik. Këtë e ka bërë të ditur për Ndërtimi.info vetë gjyqtari Idrizi.
“Kemi mbajt seancën. Por kemi dy ekspertiza të kundërta dhe shkak ato me kërkesë të palës, ne kemi kërkuar një super-ekspertizë dhe me u dhënë një vlerësim definitiv. Tash lëndën do ta dërgojmë super-ekspertizë në Fakultet Teknik”, tregoi Idrizi.
Por ai nuk ka dhënë një kohë të caktuar se kur do të jetë e gatshme super-ekspertiza. Pasi që gjithë kjo varet se kur do të kthehen nga pushimi përgjegjësit e këtij departamenti.
“Super-ekspertiza do të bëhet në Fakultetin Teknik nga një departament i veçantë që është. Kam dashtë që qysh të premten të kërkoj që të bëhet super-ekspertiza, por ata ishin pushim. Tash nuk di çfarë ditë dalin në punë”, tha ai.
Se a do të vonohet me muaj kjo super-ekspertizë njëjtë si ekspertiza e palës mbrojtëse, Idrizi thotë se një gjë e tillë nuk ndodh, pasi që ekspertiza kërkohet prej gjyqtarit të rastit.
“Nuk e vonojnë shumë besoj që e përfundojnë shpejt sepse këtë e kërkojmë ne”, përfundoi ai.
Ndërsa, i vetmi veprim i institucioneve ndaj kompanisë për vdekjen e 41 vjeçarit ka qenë dënimi modest i Inspektorati i Punës ndaj kompanisë, që shqiptoi dënim me vetëm 7 mijë e 500 euro.
Ndryshe, për rastin prokurorja e rastit Sebahate Sinani në aktakuzën që kishte siguruar Ndërtimi.info kishte kërkuar nga Gjykata që i pandehuri Meriton Salihu të ndëshkohet me dënim meritor.
Në aktakuzë thuhet se gjendja faktike vërtetohet edhe nga mendimi dhe konstatimi i ekspertit të komunikacionit rrugorë, nga i cili rezulton se aksidenti është shkaktuar nga lëshimet primare të shoferit, Meriton Salihu.
Ndërsa, eksperti i ekspertizës, Arsim Aliu, inxhinier i komunikacionit në seancën e 2 marsit ka deklaruar se gjithë ngjarja ka ardhur shkak i moskujdesit të shoferit, ku ka theksuar se shkak i erës, këmbësori, pra në këtë rast i ndjeri Tafil Tafallari ka pasur një kapelë në kokë e cila ka penguar që ai të dëgjojë zhurmën e kamionit. Gjithçka që është bërë në ekspertizë, Aliu thotë ta ketë bazuar në pozitën përfundimtare të autocisternës dhe këmbësorit, konfiguracionit të terrenit dhe dëshmive tjera.
Rikujtojmë se mëngjesi i 28 tetorit të vitit të kaluar ishte i kobshëm për familjen Tafallari nga Prizreni. Atyre iu shkoi lajmi që djali i tyre 41 vjeçar Tafili kishte vdekur në vendin e punës, më saktësisht në vend-punishten e kompanisë “Bechtel&Enka” në Kaçanik, derisa po punonin në ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi”, në pikën e fshatit Kovaçec të Kaçanikut.
https://ndertimi.info/ende-ledhatim-i-drejtesise-ne-rastin-e-vdekjes-se-tafil-tafallarit/
