Aktuale
Obligimi i harruar për autostradën “Ibrahim Rugova”

Kur të niseni drejt autostradës “Ibrahim Rugova” duhet t’i keni parasysh dy gjëra – të siguroheni se keni pirë kafe dhe vetura juaj të ketë derivate të mjaftueshme, të paktën deri në kufi me Shqipërinë. Për shkak se asnjërën prej tyre nuk do ta gjeni përgjatë kësaj rruge.
Ndërtimi i autostradës “Ibrahim Rugova” ka vite që ka përfunduar. Nëpër të qarkullojnë çdo ditë me qindra vetura e automjete motorike.
Por në këtë rrugë që lidh Kosovën me Shqipërinë, e cila është cilësuar e standardeve europiane, ende nuk ka pompa të derivateve e objekte pushimi.
Në të dyja anët e autostradës “Ibrahim Rugova” janë paraparë të ndërtohen gjithsej tetë vend-pushimore/pompa.
Krejt çka është bërë deri më tash janë vendosja e shenjave sinjalizuese, të cilat tashmë janë mbuluar me ngjyrë të zezë.
Vendosja e këtyre pompave ishte nisur qysh në kohën kur ministër ishte Fehmi Mujota. Asokohe ishin formuar komisione dhe ishin nxjerrë rregullore, mirëpo të gjitha kanë mbetur vetëm premtime.
Megjithatë, kjo ende nuk po ndodh as në këtë qeverisje ku ministër për Infrastrukturë është Pal Lekaj. Në këtë drejtim asgjë nuk ka ndryshuar. Autostrada vazhdon të mbetet pa pompa të derivateve e objekte pushimi.
Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk e kanë të qartë se çfarë konkretisht do të bëhët me këtë çështje.
Argjend Zenaj, këshilltar për media i ministrit Pal Lekaj, ka treguar për FaktePlus se janë duke i bërë disa matje të qëndrueshmërisë ekonomike të projektit.
“Janë duke u bërë matjet e qëndrueshmerisë ekonomike të ketij projekti. Është në fazën e dhënies së ideve se si t shkohet tutje. Shumë shpejt do të kemi rezultate në ketë drejtim”, ka thënë Zenaj.
Zenaj tregon se nuk kanë ndonjë afat kohor se kur këto pompa do të jenë të gatshme për shfrytëzim nga qytetarët e Kosovës.
“Nuk mund ta themi kohën e saktë, por atëherë kur do të jemi të gatshëm për ta materializuar një projekt të qëndrueshëm në këtë drejtim, do të veprohet dhe besojmë që do të ketë sukses dhe do të bëhet një zgjidhje afatgjate”, ka shtuar Zenaj.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se ndërtimi i pikave të derivateve në autostradë duhet të bëhet në bazë të standardeve të BE-së.
“Besoj që në autostradë do të aplikohet largësia e pikave të karburantit të bëhët në bazë të standarteve evropaine”, ka thënë ai për FaktePlus.
Berjani tregon se naftëtarët i kanë dhënë edhe rekomandimet e tyre në Ministrinë e Tregtisë për rregullimin e çështjës së sektorit të naftës.
Kreu i naftëtarëve të Kosovës shprehet i bindur se në vendin tonë ka shumë pika të derivateve, derisa tregon se si duhet të jenë të vendosura ato.
“Dihet se Kosova është vend i vogël, por është ndër shtetet që ka më së shumti pika të karburanteve. Largësia e tyre duhet në jetë në rrugë lokale 10 kilometra, në magjistrale 15-20 km dhe autostradë 25-30 km””, ka sqaruar tutje ai.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka biseduar me disa nga pronarët e pompave të derivateve në Kosovë, të cilët kanë treguar se janë të gatshëm të hyjnë në garë për pikat e derivateve.
Disa nga ta shprehin edhe dyshime në përzgjedhjet që do të bëhën në kohën kur do të hapet tenderi. Siç thonë ata, kjo po dëshmohet nga zvarritja që është bërë tash e sa vjet.
Mbi këtë bazë, ata thonë se janë duke pritur tani e një kohë të gjatë hapjen e tenderit, për kriteret e të cilit do të marrin vesh pas shpalljes.
FaktePlus ka siguruar kriteret që duhet t’i plotësojnë kompanitë konkurruese që dëshirojnë të kenë objekte në këtë autostradë.
“Në kuadër të realizimit të projektit të Autostradës R7 janë të përfshira edhe Lokacionet e hapësirave për Shërbime, ku përfshihen pompat e karburantit dhe objektet përcjellëse (restorante, parking, hapësirë e gjelbër, këndi i lojërave për fëmijë etj)”, thuhet në dosjen e këtyre kritereve.
Aty po ashtu tregohet se tenderi do të jetë në dy faza, atë të parakualifikimit të kompanive dhe faza e dytë tenderuese ku do të bëhet përzgjedhja e kompanive fituese.
“Kompanitë do të kenë të drejtë të aplikojnë për 4 Lokacione (ku do të jenë nga 2 objekte), apo për një lokacion të vetëm (me dy objekte)”, thuhet më tej në dosjen e kritereve.
