Aktuale
Studentët e Bangladeshit protestojnë për rrugë më të sigurta

Për më shumë se një javë, Bangladeshi është kapluar nga protestat masive që u iniciuan si shkak i vdekjes së dy fëmijëve në një aksident trafiku.
Demonstruesit, shumica e të cilëve të rinj, po kërkojnë që qeveria të ndërmarrë veprime për të përmirësuar sigurinë në rrugë.
Lëvizja që ka bërë organizimin e protestës, ka raportuar edhe për çrregullime të mëdha që kanë ndodhur gjatë kësaj jave sa ka zgjatur protesta, përfshirë edhe skena të dhunës në kryeqytetin e Bangladeshit, Dhaka, një shtëpi kjo për mbi 18 milion banorë, shkruan BBC, transmeton Ndërtimi.info.
Çfarë nxiti protestën e parë?
Më 29 korrik, dy nxënës në Dhaka – një djalë dhe një vajzë – u vranë nga një autobus që ecte në shpejtësi tejet të madhe. Shoferi besohet se kishte humbur kontrollin e automjetit derisa bënte gara me një tjetër autobus për të marrë pasagjerët.
Aksidentet atje tashmë konsiderohen si një ngjarje e përditshme, në një qytet me rrezikshmëri mjaft të madhe trafiku, ku vetëm gjatë vitit të kaluar 4,000 këmbësorë u vranë në aksidentet rrugore.
Protestuesit kanë bllokuar rrugët dhe kryqëzimet e rrugëve ndërkohë që kjo ishte hera e parë që aksidentet e shumta ngjallën zemërim në rrjetet sociale dhe çuan vendin në një valë protestash masive studentore.
Protestuesit ndaluan kamionët, autobusët dhe makinat, duke kërkuar të shohin patentë shoferët dhe të kontrollonin nëse automjetet ishin të mirëmbajtura.
