Aktuale
Studentët e arkitekturës garojnë për çmimin 20 mijë dollarësh në Cambodia

Në pamundësi të rrugëtimeve të shpeshta për të parë më shumë nga bota, ambiciet e stundentëve të rinj kosovarë kalojnë kufijtë e shtetit duke punuar me zell për të paraqitur më së miri vendin e tyre, përmes konkurseve të shumta dhe programeve online.
I tillë është një grup i studentëve të arkitekturës të cilët prezantuan një projekt të mahnitshëm në konkursin “Affordable Housing Challenge 2018|”, organizuar nga Programi Zhvillimor i Bashkimit Europian në bashkëpunim me Building Trust International.
Skuadra e përbërë nga Benart Shala, Uliks Bajqinovci, Alina Ahmeti, Besjan Bytyqi dhe Riola Hamzaj, punuan për paraqitjen e konceptit të një masterplani për strehim të përballueshëm për banorët e Cambodia-s brenda një hapësire 70 mijë metra katrorë për 3000 njësi banimi të shoqëruara me kërkesat e veçanta si hapësirat e gjelbra, dyqane etj.
Megjithëse kërkesat e konkursit ishin që të krijoheshin 3000 njësi banimi me një kosto prej 16 mijë dollarë për njësi, ekipi kishte arritur që të projektonin 3622 njësi me një kosto prej 15 mijë dollarësh për njësi, me qëllim që në të ardhmen të ketë ende vende të lira që të përdoren nga njerëzit në Cambodia.
Duke treguar që kjo është hera e parë që marrin pjesë në një garë ndërkombëtare arkitekturorë si grup, lideri i grupit Benart Shala, për Ndërtimi.info ka folur për konceptin e masterplanit i cili është mjaft interesant.
“Koncepti për ketë kompleks banesor është lumi që rrjedh rreth lokacionit përkatës për ndërtim , ku treguam se lumi nuk mund të konsiderohet vetëm rrezik në lokacion, ai mund të konsiderohet si avantazh ,me ketë trajektore të shtrirjes së lumit, morën formën komplekset banesore që i japin rrjedhshmëri dhe ndërlidhje me lokacionin” shpjegon Shala.
Meqenëse qellimi kryesor i konkursit ishte të projektohet kompleski me një kosto të arsyeshme, skuadra pas analizave të bëra kishte përzgjedhur që të jetë “PCV TIMBER”, nja material nga druri i ricikluar.
Pjesëmarrjen në këtë garë të studentëve e kishin mbështetur edhe profesorët dhe asistentët e tyre. Konkursi qëndron i mbyllur nga data 1 gusht dhe tani ata janë në pritje të ndarjes së çmimit ku vendi i parë do të fitojë një shume prej 20 mijë dollarësh dhe projekti i tyre do të publikohet në revistë nga Building Trust International, gjithashtu do të mbahen në kontakt të vazhdueshëm për detajet e projektit.
Ndërsa rreth pjesëmarrjes ata kanë treguar se synimi i tyre është që të përfaqësojnë në radhë të parë vendin e tyre.
“Synimi i grupit tonë është që të përfaqësojmë në radhë të parë vendin tonë ndërkombëtarisht dhe të tregojmë që edhe ne mund të garojmë me studentet e arkitekturës nga çdo vend tjetër i botës” shprehen studentët.
Më poshtë mund të shikoni fotografitë të projektit garues të studentëve:
