Aktuale
Të hyrat në arkën e shtetit u rritën për 6%
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka prezantuar raportin e gjashtëmujorit të trendit fiskal, duke vënë theksin te rritja prej 6% të të hyrave në këtë periudhë vjetore.
Hamza, i kënaqur me punën e ministrisë së tij, tha se kjo rritje ka mundësuar që të ketë një stabilitet e qëndrueshmëri në buxhet, për çka, sipas tij, edhe nuk do të bëhet rishikimi i buxhetit, raporton KTV.
Dogana dhe ATK-ja vazhdojnë të jenë dy institucionet që e mbushin më së shumti arkën e shtetit. Brenda kësaj periudhe janë arkëtuar 40 milionë euro më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Hamza tha se shpenzimet kapitale gjatë gjashtëmujorit të parë të 2018-ës janë rritur për 15 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ndërsa çështja e nivelimit të pagave, që do të bëhet përmes projektligjit për paga, sipas Hamzës, është dashur të bëhet shumë më parë.
Ministri i Financave po ashtu theksoi se përkundër mosrishikimit të buxhetit, asnjë projekt i planifikuar nuk rrezikon të dështojë.
Krahas rritjes së të hyrave, ka pasur edhe rritje të shpenzimeve. Gjatë gjashtëmujorit të parë janë shpenzuar 844 milionë euro apo 9.7 përqind më shumë sesa vitin e kaluar.
Në rritjen e shpenzimeve ka ndikuar rritja e pagave. Nga 274.17 milionë euro, sa ishin shpenzuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, këtë vit janë shpenzuar 20 milionë euro më shumë.




