Connect with us

Aktuale

Shkolla në komunën e Kamenicës si mos më keq

Published

on

Dritaret i janë thyer e salla e gjimnastikës ngjason në një stallë plehrash ku vend kanë zënë jashtëqitjet e kafshëve dhe copat e thyera të xhamave.

Kjo është shkolla “Skënderbeu” e Lisockës së Kamenicës e cila ishte ndërtuar në vitin 1974, raporton kp.

Në këtë shkollë, që dikur numëronte mbi 300 nxënës për çdo vit, nuk ka as tualet e as ujë për pije.

Por, që prej viteve të pasluftës kur ka filluar të dëmtohet në këtë masë, ende ka nxënës që vijojnë mësimin në të.

13 nxënës të Lisockës së komunës së Kamenicës vijojnë mësimin këtu, shkollën që është paralele e asaj në Hogosht. Numër ky që është nën atë të mësimdhënësve dhe punëtorëve të shkollës, e që arrin në 16.

Mungesa e kushteve elementare për mësim nxënie, por edhe interaktivitet e konkurrencë të shëndoshë për nxënësit, po e brengos kryetarin e ri të Kamenicës, Qëndron Kastrati. Ky doli për të parë gjendjen nga afër e për të biseduar me banorët për një zgjidhje më të mirë për fëmijët dhe mësimdhënësit.

Megjithatë thotë se i janë paraqitur dy probleme në këtë drejtim.

“Kjo dukuri në komunën e Kamenicës është shumë e madhe, shkollë si kjo janë një e treta e shkollave që e kanë numrin më të vogël se 25 nxënës, po flas për shkollë e jo për klasë. Këtu janë dy probleme. Problemi i parë është infrastruktura ligjore se si është rregulluar, ku fëmijët që nga klasa e parë deri në klasën e pestë e kanë të precizuar sa mund të jetë distanca deri ku të shkojnë në vendin ku mund ta zhvillojnë procesin e mësim nxënies. Dhe problemi i dytë është numri i mësimdhënësve që realisht i bie që ka më shumë mësimdhënës”, ka thënë Kastrati.

Një zgjidhje mendohet të jetë sigurimi i transportit për nxënësit e Lisockës dhe dërgimi i tyre në shkollën më të afërt me kushte më të mira, si ajo në Hogosht.

Megjithatë edhe nëse kjo zgjidhje arrihet, sipas Kastratit problem mbetet akomodimi i mësimdhënësve që mund të mbesin pa punë.

Kastrati tregoi se sipas një analize që kanë bërë me ardhjen në qeverisje lokale del se prej 38 shkollave sa ka Kamenica, të nevojshme janë vetëm pesë. Ngase, si pasojë e shpërnguljes së madhe të banorëve nga kjo komunë është ulur numri i nxënësve.

“Për mua fokusi më i rëndësishëm dhe primar është se si fëmijët kanë me zhvillu procesin mësimor, si kanë më zhvillu mësim nxënien e në kuadër të kësaj ne nuk guxojmë e as nuk kemi të drejtë me humb gjenerata ku është vetëm një nxënës në klasë ose janë në mësim të kombinuar, klasën e parë për shembull dhe klasën e katërt. Qëllimi dhe plani që po dëshirojmë me bo është që gjatë procesit të mësim nxënies të ketë konkurrencë të shëndetshme, interaksion dhe mësim nxënie më të mirë”, ka thënë i pari i Kamenicës për KosovaPress.

Ai po ashtu tha se do të shkojnë me plan konkret për zgjidhjen çështjes së shkollave paralele, dhe atyre të kombinuara ku ka nxënës të klasës së parë e të katërt, apo kombinime të ngjashmebrenda një klase, te Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Dhe, se janë të interesuar që Kamenica të jetë model, apo pilot projekt edhe për komunat tjera.

“Na po ashtu si qeverisje e re po e përdorim si politikë që kur po pensionohen mësimdhënësit nuk po angazhojmë të ri, nëse kemi mësimdhënës që nuk e kanë normën e plotë po mundohemi të i plotësojmë dhe nëse nuk gaboj këtë it kemi pasur nëntë raste ku nuk kemi punësuar të tjerë që unë mendoj që edhe këtu edhe në komuna të tjera të ngjashme ka qenë pak problem edhe çështja e partive, çështja që kanë dashtë me i punësu anëtarët e tyre e na në këtë aspekt nuk jemi të interesum”, ka thënë Kastrati.

Mbyllja e mësimdhënies në shkollën “Skënderbeu”, në Lisockë, nuk po mirëpritet edhe nga mësimdhënësit, për të cilët kryetari thotë se është i vetëdijshëm se janë të shqetësuar ngase frikohen për vendet e tyre të punës.

Një prej mësimdhënësve të kësaj shkolle, Naser Kërçeli, i tha KosovaPress-it se janë kundër ndërprerjes së mësimit në shkollë, por pranoi se duhet zgjidhje për kushtet e shkollës.

“Unë besoj që ajo nuk është zgjidhja për shkak se këtu ka nxënës që udhëton më tepër se 5 km për me ardh këtu në shkollë kështu që në kushte te dimrit na e dimë në sa terrohet e ku ta di unë dhe për me marrë nxënësin për me majtë mësim në një pjesë tjetër të komunës faktikisht i bjen me shku nëpër terr në shpi…na si lokalitet nuk jemi për me zgjedh në atë mënyrë…Kushtet nuk janë të sotit i kemi edhe më herët po apët ka funksionu dhe besoj që kemi pas sukses”, ka thënë ai.

Megjithëse krejt ndryshe nga ky mësimdhënës mendon përfaqësuesi i fshatit Lisockë, Fadil Zuzaku, i cili ankohet edhe për performancën e mësimdhënësve si dhe shfaq edhe brengën për rrezikun që iu kanoset nxënësve për shkak të kushteve të mjerueshme të shkollës.

“Gjendja në këtë shkollë është shumë e mjerueshme, e përshëndes kryetarin dhe iniciativën e tij që ka qenë një ditë më herët dhe e ka pa gjendjen dhe ku mësojnë nxënësit, por nuk e di. Kjo rruga nuk iu përshtatet as arsimtarëve, inventari i shkollës është pa dyer, pa brava, xhama, pa wc, pa ujë të pijshëm…Uji nuk pihet shikojeni, uji është i papijshëm është konstatu…Shkolla dhe salla është në shkatërrim e sipër dhe nxënësit janë në rrezik, plot salla është xhama dhe nxënësit hyjnë me lu me top nëpër xhama anej çka ekziston rreziku…”, ka thënë Zuzaku.

Ky e përkrah idenë e sigurimit të një transporti për nxënësit deri në zgjidhjen më adekuate për rregullimin e kushteve të shkollës së fshatit.

Problematika me degët paralele të shkollave nëpër fshatra, e që kanë numër të vogël të nxënësve si dhe klasa të kombinuara, nuk e prek vetëm komunën e Kamenicës.

Sipas statistikave të MASHT –it janë diku 311 shkolla të tilla, mirëpo nuk ekzistojnë të dhëna të sakta sa janë shkolla të vogla prej tyre, pra shkolla që kanë më shumë numër të mësimdhënësve sesa të nxënësve.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim (KEC), Dukagjin Pupovci tha për KosovaPress se vitin e kaluar vetëm në Prishtinë kanë punuar 22 paralele të tilla të kombinuara nëpër fshatra, ku në një klasë kanë mësuar edhe nënës të klasës sëpër dhe të dytë dhe kombinacione tjera që nuk janë të mira, sipas tij, për nxënësit.

“…Situatë të ngjashme kemi edhe në komunën e Gjakovës, komunën e Pejës, komunën e Prizrenit pra ka situate të tilla dhe mund të ketë edhe në komuna të tjera. Dhe tash problem me këta fëmijë është se këta nuk kanë mundësi që të krahasohen faktikisht me dikë tjetër sepse janë në klasa ku mund të ndodh që është i vetmi nxënës i një grup moshë të caktuar dhe këtu nuk i bëhet fjalë vetëm për socializmin, por bëhet fjalë edhe për atë konkurrencën e shëndoshë e cila duhet të zhvillohet mes nxënësve”, ka thënë Pupovci.

Sipas tij, me rregullimin e infrastrukturës rrugore në Kosovë mësimdhënia përmes klasave paralele nëkëtë formë është e tejkaluar dhe as që ka nevojë për ekzistencë të shkollave të tilla.

“Natyrisht kjo në një mënyrë ndërlidhet edhe me nivelin qendror ndërlidhet me formulën e financimit e Ministrisë së Arsimit në këtë rast dhe thjeshtë shumë komuna po e bëjnë atë që po kanë më shumë mësimdhënës se që e lejon formula dhe pastaj po mundohen që t’i paguajnë nga burimet e tjera të cilat po i sigurojnë në nivel komune, shpeshherë kjo ndodh për vota për të mos u konfrontuar me askënd sidomos jo në kohën e zgjedhjeve, por mendoj se nuk është një politikë e shëndoshë sepse duhet të kemi parasysh se numri i fëmijëve në Kosovë vazhdimisht po zvogëlohet për shkak të zvogëlimit të lindshmërisë”, ka thënë Pupovci që tutje ka treguar se për çdo vit 500- 1000 nxënës janë më pak të regjistruar në klasën e parë.

Kësaj politike, sipas tij, duhet të i vjen fundi dhe duhet të gjendet mënyra tjera.

Një prej tyre, sipas tij, është të mos punësohen më mësimdhënës të ri ngase çdo vit 3 deri 5 për qind mësimdhënësve pensionohen.

Sipas formulës së financimit për shpërndarjen e granateve të arsimit, një mësimdhënës paguhet për 27.5 nxënës në zona të rrafshëta, derisa për 17.5 nxënës në zona malore.

Pupovci thotë se vazhdimi i degëve paralele të shkollave ku ka më pak nxënës se mësimdhënës duhet t vazhdojë vetëm në zona të cilat kanë vështirësi transportin edhe në sezon dimri, si zonat e Rugovës.

Një pjesë e madhe e shkollave të reja në Kosovë janë ndërtuar gjatë fushatave zgjedhore, dhe si pasojë e premtimeve elektorale në Kosovë.

Pupovci pohon se arsimi u përdor prej politikes për të gjeneruar vota, dhe në këtë formë janë hapur edhe shkolla pa asnjë plan për numrin enxënësve që ato do të kenë apo mënyrën se si do të zhvillohet arsimi.

E nëse nuk do të bëhet zgjidhje për këtë problematikë deri në shtatorin e këtij viti, nxënësit e Lisockëdo të vazhdojnë të vijojnë mësimin nën erën e kundërmimit të jashtëqitjeve të kafshëve dhe me mungesë të kushteve më elementare për mësim nxënie.

Një përgjigje rreth një zgjidhje të mundshme përmes politikave të reja shtetërore, KosovaPress, ka kërkuar edhe nga MASHT, por zyrtarët e kësaj ministre nuk janë përgjigjur.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending