Aktuale
Rahoveci me polici synon lirimin e trotuareve në qytet

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi është takuar sot me shefin e Policisë së Kosovës në Rahovec, Osman Ismajli, dhe kanë diskutuar për sigurinë në komunikacion dhe lirimin e trotuaret nga shitësit ambulantiv dhe bizneset tjera të cilët ekspozojnë mallin e tyre.
Latifi ka thënë se gjatë verës komunikacioni është i ngarkuar dhe ka kërkuar rritje të patrullimit nga policia në mënyrë që siguria në komunikacion të jetë më e lartë. Ai gjithashtu ka thënë se trotuaret janë të uzurpuara nga shitësit ambulantiv dhe ka kërkuar nga Drejtoria e Inspeksionit që të asistohen edhe nga policia në mënyrë që të lirohen trotuaret dhe qytetarët të ecin lirshëm nëpër trotuare.
“Nuk jam për të dënuar askënd, por nëse ata e kanë shkelur ligjin, sigurisht që do të dënohen bazuar në ligjet relevante që janë në fuqi”, ka thënë Latifi.
Komandanti i stacionit të policisë në Rahovec, Osman Ismajli, ka thënë fillimisht se situata e sigurisë në territorin e Rahovecit është e qetë dhe stabile, kriminaliteti është në rënie dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, nuk ka asnjë rast me fatalitet-vdekje në komunikacion.
Kurse sa i përket lirimit të trotuareve ai është shprehur se u janë përgjigjur pozitivisht kërkesave të inspektorëve të drejtorisë së Inspeksionit për t’i asistuar në aksionet e tyre për largimin e shitëseve ambulant të cilët e ekspozojnë mallin e tyre në trotuar dhe që pengojnë lëvizjen e qytetarëve.
“Jemi të gatshëm të asistojmë sa herë që kemi kërkesë, nga drejtoria përkatëse që ti mbështesim gjatë realizimit të aksionit të cilët ata kanë”, ka thënë Ismajli.
