Aktuale
Shtëpia-shkollë e Herticëve do të bëhet muze

E kishin ndërtuar dhe mobiluar për të jetuar në të. Por destinimi i saj u ndërrua në vitin 1992. Shtëpia tri katëshe e Mehmet Herticës për 7 vjet shërbeu si shkollë për nxënësit e Prishtinës. Ajo tashmë që njihet si shtëpi-shkollë së shpejti do të shndërrohet në muze.
Kjo shtëpi ka 14 dhoma dhe kryefamiljari nuk e ka shfrytëzuar më për banim, por të njëjtën është munduar ta ruajë në mënyrë që të lihet si kujtim se në kohën e okupimit aty ishte shfrytëzuar për shkollë.
I biri i Mehmet Aliut, Fadili rrëfen për KosovaPress për vendimin që në atë kohë kanë marrë për ta liruar shtëpinë për nxënës dhe peripecitë që kanë kaluar si pasojë e atij vendimi.

Ai ka thënë se shtëpinë sapo e kishin ndërtuar dhe mobiluar për të banuar familja e tyre 17 anëtarëshe, mirëpo, pas mbylljes së shkollave, familja Aliu-Hertica kishte vendosur ta japë shtëpinë për nxënësit dhe arsimtarët.
Aliu thotë se pavarësisht vështirësive dhe kushteve jo të përshtatshme për mësim, ata kanë pasur një vullnet shumë të madh për të mësuar.

Ai e kujton se si në atë kohë nxënësit në këtë shtëpi -shkollë kanë mbajtur edhe aktivitete jashtë plan programit shkollor, kanë botuar revistën “Feniksi” si dhe kanë pasur klubin e informatikës, ani pse posedonin vetëm një kompjuter.
Aliu tregon se familja e tij ka pasur kërcënime, prandaj djemtë e kësaj familjeje kishin emigruar jashtë Kosovës pas përfundimit të shkollës së mesme.
Aliu thotë se familja e tij qe sa vite ka pritur që institucionet ta marrin në mbrojtje këtë objekt dhe ta shndërrojnë në muze, mirëpo në mungesë të kësaj, në vitin 2004, me kërkesën e kryefamiljarit Mehmet Aliu, vet familja e tyre e kishte financuar kulmin e kësaj shtëpie, për ta mbrojtur nga kushtet atmosferike.

Ai ka shtuar se nuk kanë marrë ndonjë kompensim financiar e as nuk do ta pranonin një gjë të tillë, pasi që dëshira e tyre e vetme është që kjo shkollë të bëhet muze.
Aliu ka treguar se së fundmi komuna e Prishtinës e ka marrë një iniciativë për shndërrimin e kësaj shkolle në muze.
Ai ka thënë për Kosovapress se kanë nënshkruar një marrëveshje me komunën dhe emrin kanë vendosur t’ia lënë Muzeu “Shtëpitë- shkolla” në mënyrë që t’i përfshijnë edhe shtëpitë tjera që shërbyen si shkollë gjatë viteve të nëntëdhjeta.
Drejtori për Kulturë në komunën e Prishtinës, Yll Rugova konfirmon se kanë marrë iniciativë që ato objekte t’i shndërrojnë në muze. a thënë se ajo periudhë ka qenë shumë e rëndësishme për popullin, dhe ka filluar të harrohet andaj e kanë marrë iniciativën për t’i shndërruar këto objekte në muze.
Rugova ka thënë se pas marrëveshjes që kanë bërë, janë duke punuar projektin dhe presin që vitin tjetër të fillojnë me intervenimet në objekt.
Ai ka thënë që kjo është iniciativa e parë, mirëpo kanë menduar që në shtëpitë tjera që kanë shërbyer si shkolla, të vendosin pllaka përkujtimore si dhe të angazhojnë ciceronë që do t’iu rrëfejnë vizitorëve historinë e këtyre shkollave.

Janë rreth 3200 shtëpi dhe dyqane private në Kosovë që gjatë viteve të nëntëdhjeta u bënë strehë mësimi për nxënësit dhe studentët e Universitetit të Prishtinës. /KosovaPress/
