Aktuale
Muret anësore të Lumëbardhit ndërtohen edhe në drejtim të fshatrave të Pejës
Projektin për ndërtimin e mureve të Lumëbardhit, Komuna e Pejës e ka zgjeruar edhe jashtë pjesës urbane.
Me një projekt të ri për të cilin ka planifikuar rreth 800 mijë euro buxhet dhe aktualisht gjendet në procedurën e tenderimit, Komuna ka vendosur të ndërtojë muret e Lumëbardhit prej urës që gjendet te ish-Tregu i Gjelbër në drejtim të pjesëve rurale.
Me pjesën e parë të këtij projekti me buxhetin e planifikuar do të ndërtohen muret nga të dyja anët e Lumëbardhit në drejtim të fshatit Qyshk, në një gjatësi prej rreth 2 kilometrash, shkruan sot “Koha Ditore”. Për këtë vit, siç tregon drejtori i Financave, Jeton Abazaj.
“Ideja është që projekti të vazhdojë dhe brenda 4-5 viteve të ndërtohen muret e lumit deri në lokacionin afër Gorazhdecit, ku do të ndërtohet impianti i madh i trajtimit të ujërave të zeza”, tregon Abazaj qëllimin e këtij projekti.
Këto mjete që janë ndarë për këtë projekt për ndërtimin e mureve të Lumëbardhit nga qyteti në drejtim të fshatrave, kanë qenë të planifikuara për sivjet për fazën e dytë të projektit të Lumëbardhit për ndërtimin e mureve mbrojtëse dhe shëtitores përgjatë Lumëbardhit nga Patrikana e deri të “Ura e Zallit”.
Aktualisht faza e parë e këtij projekti nga Patrikana e deri vendi i quajtur “Ura e Gigiqëve”, që ka nisur marsin e vitit të kaluar, është në realizim dhe sivjet pritet të kryhet.




