Aktuale
Familja Sina – Miliarderët shqiptarë në Vjenën e shekullit XIX
Kryeqyteti aristokrati i Austrisë ka mbajtur në gjirin e vet shumë shqiptarë. Disa prej tyre edhe në shekujt e kaluar kanë arritur të jenë më me emër aty. Dallohet ndër të tjera, familja Sina nga Voskopoja.
Ata kanë qenë një dinasti biznesore dhe thuhet të kenë qenë miliarderë në atë kohë.
Pas shkatërrimit të Voskopojës, Simon Sina do të emigronte në Vjenë. Aty do të merrrej me importin e pambukut me shumicë nga Maqedonia, të pëlhurave dhe punimeve prej metali dhe qelqi. Ai ishte tregtari i parë që futi në kufijtë e perandorisë osmane si mjet këmbimi monedhën Taler me figurën e Maria Therezës, që ishte mjeti kryesor i shkëmbimit tregtar në perandorinë austro-hungareze. Kishte një pasuri të jashtëzakonshme dhe prona në të gjithë skajet e Ballkanit.
Gjergj Simon Sina, i biri, lindi në Nicë më 1783 në familjen e dëgjuar voskopojare të Sinave, me prejardhje të hershme vithkuqare. (Në disa burime të tjera thuhet se ato ishin arumunë). Po kjo nuk është dhe aq e rëndësishme. Ata quheshin voskopojarë gjatë gjithë jetës së tyre dhe këtë e kishin krenari.
Në moshën 8 vjeçare i ati e futi në shkollë në Vjenë për të mësuar aq sa e lejonin kushtet për të marrë mësimet e para ekonomike në mënyrë që ta ndihmonte për fushën e tregtisë që ai zhvillonte. Duke ndjekur rrugët e të atit, Gjergji u mor me profesionin e tij në mënyrë të tillë sa habiti gjithë botën tregtare me gjallërinë dhe inteligjencën që e karakterizonte me anën e të cilave ndikoi shumë në zhvillimin e tregtisë midis Austrisë dhe Perandorisë Otomane. Nuk kishte asnjë instucion tregtar në Vjenë që të mos kishte për themelues Sinën. Dhe nuk shkëlqeu vetëm në fushën e tregtisë por dhe të investimeve madhore që u bënë në atdheun ku ai jetoi dhe më gjerë. Ndërtimi i urës së varur në Budapest, për të cilën u investuan 500 mijë stërlina angleze, me iniciativën e tij u bë. Por dhe shumë investime të tjera madhore duke hyrë në histori përgjithmonë, shkruan Konica.al.
Nga shërbimet e shumta që i bëri shtetit austriak u ngrit më shpejt se i ati dhe mori titullin fisnik baron. Duke zbatuar programin tregtar të të atit, e zgjeroi kaq shumë rrethin e marrëdhënieve tregtare dhe bankare sa çdo vit paguante 1.000.000 fiorinta si taksë për importin dhe eksportin. Themelues i fabrikës së penjve dhe stofrave të pambukta, Sinat kontribuan për zhvillimin ekonomik të shtetit, në themelimin e Bankës Kombëtare, drejtor i së cilës u bë Gjergj Sina, në themelin e shumë arkave të kursimit, shumë shoqërive të sigurimit nga zjarri dhe së fundi të Politeknikumit të Vjenës, për funksionimin e të cilës ndihmonin me dhurata të majme. Më 1834 Gjergji emërohet konsull i përgjithshëm i qeverisë greke për gjithë Austrinë. Më 1872 i bëri dhurata të shumta Stacionit për Studime Astronautike të Athinës.
Tituj dhe dekorata iu dhanë Gjergjit edhe nga qeveria ruse, turke, greke dhe nga disa qytete hungareze ku u shpall qytetar nderi. Ishte nënpresident i Bankës Austriake, president i shoqërisë së privilegjuar të hekurudhave austriake dhe urës së varur të Budapestit, pronar tokash në Austri, Bohemi, Moravi, Serbi, Rumani, etj. Vdiq në kulmin e aktivitetit të tij më 18 maj 1856.
Simon (i biri)i i ndriçoi më shumë gjurmët e paraardhësve të shquar. Duke trashëguar pasuri të mëdha ai u shtoi dhe të tjera, ku mund të përmendim dhe vepra të mëdha bamirësie. Ai akordoi shumë bursa universitare për bij shqiptarësh dhe veçanërisht ndihmoi familjet e voskopojarëve. Hodhi themelet e Akademisë së Athinës më 2 gusht 1852 dhe prej kësaj familjeje mori emrin Sinaia.
Më 15 prill 1876 vdiq dhe trashëgimtari i fundit djalë i familjes Sina, që çuditi botën me zgjuarsinë dhe veprimtarinë e saj dhe asnjëherë nuk i ndërpreu lidhjet më vendlindjen, nga e cila ata u detyruan të shpërngulen për t’i shpëtuar regjimit prapanik Osman, i cili pengonte zhvillimin e lirë të jetës ekonomike dhe prodhuese të vendit. Ky la vetëm dy vajza.
You must be logged in to post a comment Login