Aktuale
Zharku i kërkon Haradinajt shkarkimin e Lekajt

Ndarja e mjeteve shtesë në shumën prej 53.1 milionë euro për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve” për ndërtimin e Autostradën “Prishtinë- Hani i Elezit”, nga Lidhja Demokratike e Kosovës po konsiderohet pa bazë ligjore e kontraktuale, shkruan Ndërtimi.info
Së paku kështu ka deklaruar ish-Ministri i Infrastrukturës, tani deputet nga radhët e LDK-së, Lutfi Zharku.
Zharku ka kërkuar shkarkimin e Ministrit Pal Lekaj dhe kabinetit të tij, anulim të vendimit për ndarjen e mjeteve shtesë në shumë prej 53 milionë eurove, si dhe zbatimin e aneks kontratës në shumë prej 14 milionë euro.
Ai për të argumentuar këtë sqaroi llojin e kontratës, strukturën institucionale organizative për përfundimin e punimeve, vendimin e komitetit drejtues ndërministrues të kaluar mbi aprovimin e kostos shtesë prej mbi 14 milionë euro, dhe qëndrimet e LDK-së për vendimin e Qeverisë për ndarjen e këtyre mjeteve për kompaninë Bechtel Enka-së.
Thotë se që të dyja palët, sikur Qeveria ashtu edhe “Bechte&Enka” kanë hyrë në një marrëveshje duke e ditë se mund të kenë vështirësi ta përmbushin anën financiare të saj në përputhje me afatin kohor për përfundim të saj, 3 vjet e gjysmë.
“Qeveria e Kosovës ka hyrë më vetëdije në një kontratë që e ka të pamundur sigurimin e fondeve sipas afateve të parapara për përfundimin e punimeve, sikurse Bechtel&Enka ka hy në një kontratë duke qenë e vëteijshme se do të ketë vështirësi të i paguhen të gjitha punimet”, tha Zharku.
Ish-Ministri i Infrastrukurës tha se pagesa prej 53 milionë eurove është në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
“Përftimi nga kostoja prej 53 milionë eurove është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe kjo kërkesë konsiderohet e pabazë. Duke e ditur si kërkesë të pabazë kompania ka nënshkruar marrëveshje vetëm me Pal Lekaj, duke anashkaluar menaxherin e kontratës”, është shprehur Zharku.
Sipas tij, Lekaj ka pranuar se ka shkelur rregullat e kontratës edhe më një shkresë zyrtare dërguar anëtarëve të komisionit për zhvillimi ekonomik të Kuvendit.
Si dëshmi tjetër, ai tha se kjo ndarje është bërë në mënyrë jo ligjore, mungesën e ministrit të Financave Bedri Hamza në mbledhjen e komitetit ndërministror dhe në mbledhjen e Qeverisë kur janë ndarë mjetet.
Ai tha këtë situatë e ka trashëguar Qeveria e Isa Mustafës, dhe se ka qenë para një pune të kryer./Ndërtimi.info
