Aktuale
Gashi e Tahiri optimistë se Palestra e Sporteve në Samadrexhë të Vushtrrisë përfundon sivjet
Ministri sporteve Kujtim Gashi dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri kanë inspektuar punimet në Palestrën e Sporteve në Samadrexhë.
Pas inspektimit të punimeve, Gashi ka premtuar se ky projekt i nisur në vitet e kaluara do të përfundojë këtë vit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Do të bëjmë përpjekje që të gjejmë fonde dhe t’i përfundojmë ndërtimet këtë vit, që ky objekt të jetë në funksion të sportistëve të Samadrexhës të cilët kanë traditë të sportit”, ka thënë Gashi, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se është shumë keq që ka shumë projekte të filluara në vitet e shkuara dhe të cilat ende nuk kanë përfunduar.
“Ne po bëjmë përpjekje që të përmbyllim këto projekte dhe më pas të vazhdojmë me projekte të reja”, ka deklaruar Gashi.
Po ashtu edhe Tahiri, është shprehur optimist se ky objekt do të përfundohet shpejtë dhe që ai do të jetë në funksion të sportistëve.
“Ky investim kaq kapital është shumë i rëndësishëm për sportistët e këtij fshati që ka traditë të sportit dhe sportistët e Vushtrrisë. Shpresojmë se ndërtimi i këtij objekti kapital për sportin tonë, të përfundojë brenda afateve kohore. Besojmë shumë se do të përfundohet, Ministria do të përgjigjet shumë shpejtë me fonde, që ky objekt të përfundohet dhe të jetë në funksion të sportistëve”, ka thënë Tahiri.




