Aktuale
Paditësit kërkojnë kompensim për pronën që pretendojnë se ua mori Komuna e Prishtinës

Behar, Bujar, Fidan dhe Alban Bajrami, përmes përfaqësuesit të tyre avokatit, Gafurr Elashani, në seancën e së martës, kanë kërkuar nga gjykata që ta detyrojë Komunën e Prishtinës që t’i kompensojë ata për pronën, të cilën thonë se u është marrë para rreth 16 vjetësh.
Avokati Elshani, deklaroi se Komuna, me një vendim të 26 marsit 2002, e ka marrë në posedim pronën e cila ka qenë në emër të babait të vëllezërve Berisha, Sadri Berisha në zonën kadastrale në Llukar, me qëllim që aty të bëhet një deponi e mbeturinave.
Siç pretendoi përfaqësuesi i paditësve, me atë vendim ishte paraparë që ajo pronë të kompensohet me një pronë tjetër, por kjo gjë, sipas tij, akoma nuk ka ndodhur.
“Me vendimin numër 46409 të datës 26 mars 2002, të marrë nga Komuna e Prishtinës, i nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit Sali Gashi, paraardhësit të paditësve, babait të tyre i është marrë prona dhe sipas këtij vendimi është premtu se do tu jepet pronë tjetër si kompensim por kjo deri më tani nuk ka ndodhë, kjo provohet edhe me vendimin e Drejtorisë për Financa dhe Pronësi 46791/01, të 26 mars 2003, kjo provohet edhe me vendimin të Drejtorisë për Financa dhe pronësi të 4 prillit 2003”, tha avokati Elshani.
Në anën tjetër, përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës Fitore Byqmeti, deklaroi se Komuna e kundërshton padinë e paditësve dhe shtoi se kërkesa është parashkruar pasi vendimi është marrë në vitin 2002 dhe padia është ngritur në vitin 2013, ndërsa sipas Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, sipas saj, kërkesat mbi një vendim gjyqësor ose të një organi kompetent parashkruhen pas 10 viteve.
Byqmeti po ashtu deklaroi se Komuna e Prishtinës nuk e ka në shfrytëzim pronën për të cilën ata janë paditur, pasi sipas saj, ajo parcelë është në emër të paditësve, por me një projekt të Bashkimit Evropian është paraparë që të shfrytëzohet me qëllim të rehabilitimit të mbeturinave.
Pas deklarimit të përfaqësues së Komunës, avokati Gafurr Elshani, u shpreh se ndihet i tmerruar se si mund të parashkruhet e drejta e pronës e paraparë me Kushtetutën e Kosovës.
“Pretendimi për parashkrim nuk ekziston pasi sipas Kushtetutës e drejta në pronë nuk parashkruhet edhe po tmerrhona kur po e dëgjoj këtë”, tha Elshani.
Elashani po ashtu tha se paditësit kanë informata se Komuna me vendimin e vitit 2002 ka kompensuar disa fqinjë të tyre afër pronës kontestuese.
Pas propozimit të paditësve gjykatësja Hunaida Pasuli, aprovoi propozimin që në këtë rast të caktohet eksperti Valdet Osmani me qëllim që të behët vlerësimi i pronës.
Gjykatësja po ashtu tha se për të vërtetuar gjendjen faktike do të dalë në vendin e ngjarjes bashkë me ekspertin.
Ndërkohë, seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të ekspertizës.
Ndryshe, sipas padisë së 2 majit 2013, Sadri Berisha, tashmë i ndjerë, ka pasur në pronësi gjashtë ngastra kadastrale në vendin e quajtur “Pozderka”, në sipërfaqe të përgjithshme prej 1.2 ha, në zonën kadastrale në Llukar të Prishtinës, por ajo pranë që tashmë ka kaluar në emër të djemve të tij, siç thuhet në padi, është marrë nga Komuna e Prishtinës.
Paditësit pretendojnë se me vendimin e 26 marsit 2002, Komuna e ka pasur obligim që familjen Berisha, ta kompensojë për atë pronë, por një gjë e tillë sipas tyre, nuk është bërë.
Behar, Bujar, Fidan dhe Alban Bajrami, me padinë e tyre kanë kërkuar që gjykata të merr aktgjykim me të cilin do ta detyronte Komunën e Prishtinës që të në emër të pronës që e kanë marrë në shfrytëzim, t’i jap pronë me sasi dhe kualitet të njëjtë ose në emër të saj të paguaj para sipas çmimit të tregut, Betimi për Drejtesi
