Aktuale
Ndërtohet impiant i ujërave të zeza, vlera 30 milionë euro

Projekti kapital, i cili përfshin edhe Mitrovicën e Veriut, Vushtrrinë, Zveçanin dhe Zubin Potokun, financohet nga BERZH-i dhe nga Banka Evropiane Investive nëpërmes Qeverisë së Kosovës. Kapaciteti i impiantit të ujërave të zeza është 1 mijë litra në sekondë, ndërsa parashikohet që ujërat e zeza të trajtohen buzë lumit Ibër, prej Ujmanit deri në Mitrovicë, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Në komunën e Mitrovicës do të fillojë realizimi i një projekti të rëndësishëm, në të cilin përveç Mitrovicës së Jugut do të përfshihen edhe Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Zveçani dhe Zubin Potoku. BERZH-i dhe Banka Evropiane Investive kanë siguruar se do të investojnë në ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza, në të cilin do të trajtohen ujërat e zeza jo vetëm të Mitrovicës së Jugut, por edhe të komunave të tjera veriore prej Ujmanit (Zubin Potok) e deri në Mitrovicë.
Përfaqësues të BREZH-it dhe të Bankës Evropiane Investive, dr. David Tyler, Lijana Jancauskiene, Konstatinos Mastroglanopulos, Bekim Muaremi dhe Arianit Blakaj, kanë takuar kryetarin e Komunës së Mitrovicës Agim Bahtirin, me të cilin kanë biseduar për projektin për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, shkruan më tutje “Zëri”.
Përfaqësuesit e BERZH-it dhe të Bankës Evropiane Investive thanë se Mitrovica dhe Gjilani do të jenë përfitues të kredisë nga këto dy banka për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, pasi që Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse janë parapërcaktuar për këtë.
BERZH-i dhe Banka Evropiane Investive mjetet e tyre do t’ia ndajnë Qeverisë së Kosovës, e cila është investitor i projekteve kapitale të këtyre dy komunave, kështu që komunat nuk do të kenë fare punë me bankat sa i përket çështjes së financimit, por vetëm të bashkëpunimit të ngushtë për realizimin e projekteve.
