Aktuale
Gjithçka mbi vdekjen në punë të 16-vjeçarit Selldin Alija [foto]

E shtuna e fundit e muajit qershor ishte tragjike për familjen Alija nga Lubizhda e Prizrenit.
Në mesditë, rreth orës 12:00, familja mori lajmin tronditës, djalin që kishte veç 16 vjet e që e kishin nisur për në vendin e punës kishte ndërruar jetë. Pikërisht në vendin e punës, deri sa po punonte me një makinë të stiroporit në një fabrikë të fshatit Mushnikovë të Prizrenit.
Gjendja e rëndë sociale kishte shtyrë djalin e vetëm të familjes Alija, që të niste punën 10 ditë më parë në fabrikën e stiroporit “SatStyro”. Por, pavarësisht përpjekjeve të redaksisë për të marrë deklaratë nga përfaqësues të kompanisë, këta të fundit nuk u janë përgjigjur thirrjeve të vazhdueshme.
Ndërtimi.info mëson se bëhet fjalë për nxënësin e vitit të dytë të Medreses “Alauddin” në Prizren, Selldin Alija.
Ndërsa, Policia e Kosovës në Rajonin e Prizrenit lidhur me rastin nuk ka arrestuar askënd. Madje për këtë zëdhënësi i policisë atje, Hazir Berisha kishte thënë se “kush po ju thotë që duhet me u arrestu kur punon një 17 vjeçar”.
Kurse, dy udhëheqësit kryesor të Inspektoratit të Punës, kryeinspektori Basri Ibrahimi dhe zëvendësi i tij Agim Millaku nuk kanë informata rreth rastit tragjik të 16 vjeçarit, pasi që të dy në të njëjtën kohë gjenden në pushim vjetor.
E kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka shprehur shqetësimin se si një 16vjeçar është lejuar të punoj në një vend që përbën rrezikshmëri, jashtë normave ligjore.
“Realisht ky i ka thyer rregullat. Punëtorët kanë të drejtë të punojnë në moshën 15 vjeçare, por kanë të drejtë të kryejnë punë të lehta dhe në ambientin e hapur sipas ligjit neni 45-të dhe kanë të drejtë të punojnë 30 orë gjatë javës jo sikurse ky sipas gjitha gjasave ndoshta ka kaluar edhe 50 orë brenda javës. Cështjet ligjore që i ka shkel ne presim prej organeve që të japin verdiknin e vetë”, tha ai.
Vdekja e 16 – vjeçarit është rasti i parë që nga pas lufta, që një punonjës nën moshën madhore gjen vendjen në vendin tij të punës.
“Pas luftës ka pas shumë raste të rënda por mendoj që ky është rasti më i rëndë se është punëtori më i ri që na ka vdek në vendin e punës e më e rënda është se ka qenë i vetmi i kësaj familje. Dhe kjo na ka shokuar neve”, shtoi Azemi për Ndërtimi.info.
Për vdekjen e S.A ka ngushëlluar edhe institucioni shkollor, ku ai ndiqte mësimet, Medresja “Alauddin” në Prizren.
Gjithashtu, burime të Ndërtimi.info thonë se 16 vjeçari të mos të jetë i mbuluar nga punëdhënësi në anën procedurale.
Ndryshe, që nga janari i 2018-ës, numri i punëtorëve që e kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës ka arritur në 16.
Kurse, sipas të dhënave zyrtare edhe viti paraprak u përmbyll me një numër shqetësues të vdekjeve në vendin e punës. Në vitin 2017, sipas Inspektoratit të Punës, 7 punëtorë të ndërtimtarisë kanë gjetur vdekjen në vendin e tyre të punës, e 30 të tjerë janë lënduar nga aksidentet gjatë procesit të punës.
Nëse marrim statistikat për pesë viteve të fundit, rreth 90 qytetarë, mbajtës të familjeve, kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës në sektorin e ndërtimtarisë.
Ka arritur në 16 numri i qytetarëve të Kosovës që kanë vdekur në vendin e punën që nga janari i këtij viti.
