Aktuale
Tenderi i kamerave të sigurinë në “Kompleksin e Jasharajve” me ankesa për dallavere

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKM) ka filluar të ndërmarr hapa për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, por që në hapat e parë po del të ketë parregullësi.
Kjo agjenci ka vendosur që të vendos kamera të sigurisë në këtë kompleks dhe për këtë tashmë ka dhënë kontratën një operatori ekonomik me vlerë 94 mijë e 899 euro e 40 cent. Por, si duket kur zgjodhi kompaninë fituese “Tetroniks” Sh.P.K&Arding” Sh.P.K Prishtinë/Vushtrri, agjencia nuk ka respektuar kushtet e dosjes së tenderit që vetë i ka përcaktuar, shkruan Ndërtimi.info
Duke qenë se këtë e kanë vërejtur operatorët ekonomik që nuk kanë arritur ta fitojnë tenderin, çështjen e kanë kaluar në gjykatën e tenderëve.
Operatori ekonomik “Impact” Sh.P.K ka akuzuar AKMK-në se ka zgjedhur një kompani, përfaqësuesit – inxhinerët e të cilit nuk i plotësojnë kushtet, pasi nuk kanë shkollimin e duhur për këtë punë. Ata, pretendojnë se kompania ka paraqitur diploma dhe certifikata që nuk përkojnë me atë që është kërkuar ën dosjen e tenderit.
Sa i përket këtij pretendimi, paneli shqyrtues konstaton se kompania e rekomanduar për dhënien e kontratës nga AKMK ka ofruar certifikatë të Fakultetit të Inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike me të cilën vërtetohet se Taulant Grajcevci i kreu studimet themelore në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në departamentin e Telekomunikacionit dhe mori titullin Bachelor të inxhinierisë Elektrike.
Paneli shqyrtues thotë se kjo certifikatë është noterizuar e po ashtu për kërkesën e cekur operatori ekonomik fitues ka ofruar edhe disa certifikata nga universitet private dhe një diplomë të lëshuar nga Republika Socialiste e Serbisë që nuk ka ndonjë emër të ndonjë personi dhe e njëjta është e pa noterizuar.
Duke u nisur nga kjo paneli shqyrtues konstaton se AKMK gjatë rivlerësimit të ofertave është i obliguar që në pajtim me nenin 59 dhe 72 të LPP-së, të sqaroj dhe konstatoj saktë se dëshmitë e ofruara nga ana e operatorit ekonomik të rekomanduar për dhënie të kontratës, sa i përket kërkesës së cekur, se a janë në pajtim me kërkesën e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë.
Sipas përshkrimit të kontratës është thënë se do të montohen full HD Networ Camera-25 copw, full HD Nertwor Camera Motorized Lens-10 copë, full HD Network Camera PTZ-5 copë, full HD Network PTZ Dome-5 copë si dhe Digital Network Video Recorder-1 copë.
Rikujtojmë që kjo agjenci po hetohet edhe nga Prokuroria e Shtetit për keqmenaxhimin e rreth 8 milionë eurove që ishin dedikuar për mirëmbajtën e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
