Aktuale
Zonat Ekonomike një dështim, shërbejnë vetëm për pasurimin e grupeve të caktuara

Formimi i Zonave Ekonomike në Kosovë, është duke vazhduar. Ditëve të fundit Qeveria e Kosovës, ka vendosur që një zonë të tilla ta bëjë në qytetin e Gjakovës. Ndonëse janë zona ku ishte dashur të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe në uljen e papunësisë, në vendin tonë këto Zona Ekonomike janë duke dështuar ende pa filluar funksionalizimi i tyre.
Të paktën kështu shprehen njohësit e çështjeve ekonomike të cilët kanë marrë shembullin e tetë zonave të tjera ekonomike në komunat e ndryshme të Kosovës të cilat tashme nuk janë funksionale vetëm është bërë privatizimi i tokave por asgjë më shumë, shkruan portali arbresh.info.
Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, këto zona më shumë po bëhen për fushata mediale dhe për kampanja elektorale.
Gërxhaliu për arbresh.info thotë se nga këto zona po përfitojnë grupe të caktuara por jo qytetarët.
“Ne si Odë jemi të shqetësuar se këto zona më shumë po bëhen për kampanja mediale, për fushatë elektorale dhe për mbrojtje të interesave të persona të caktuar se sa po janë për zhvillim ekonomik dhe kjo e dëshmon më së miri numrin e madh të tyre që kanë dështuar në Kosovë. Ne mendojmë se është një qasje e gabuar ndaj këtyre zonave sepse duhen të ketë infrastruktura, studim fizibiliteti dhe transparenca e jo që termi Zona Ekonomike të shfrytëzohet vetëm për një grup të caktuar të interesit. Problemi më i madh në këtë temë është sepse nuk ka transparencë në këto zona sepse vetëm shpronësimi i një zonë merr më shumë se 30 milionë euro dhe kam drojë se dikush në procesin e privatizimit ka shfrytëzuar këtë mundësi që për një ari të marrë një shumë marramendëse dhe amorale dhe kjo duhet të ndalet dhe të vazhdohet me sundim të rendit dhe ligjit, në funksion të rigjenerimit të vendeve të reja të punës dhe të zhvillimit të Kosovës”, u shpreh ai.
Tutje Gërxhaliu, ka shtuar se është shqetësuese se si po vazhdon dështimi i njëpasnjëshëm i zonave të cilat deri tash janë themeluar, ndërsa pasurimi i disa personave po vazhdojnë.
“Dështimi i këtyre zonave tregon më së miri se politikanet tanë shkojnë në vende të ndryshme dhe pa bërë ndryshime strukturore ligjore mendojnë se të njëjtat bëhen edhe në Kosovë dhe derisa nuk ndryshojnë këtë gjëra këto zona do të dështojnë, por jo edhe përfitimi i disa personave të caktuar nga këto zona. Pjesërisht ka dështuar në Drenas, pastaj ka dështuar në Skenderaj, në Mitrovicë, edhe në vendet e tjera. Dhe në rend të parë duhet të kemi indikator matës për këto zona në mënyrë që të jenë aktive”.
Edhe profesori i Ekonomisë, Muhamet Mustafa, i sheh të dështuara këto zona ekonomike. Ai për Arbresh.info, ka thënë së formimi i tyre është bërë vetëm për arsye elektorale dhe asgjë më shumë.
“ Zonat Ekonomike në Kosovë janë bërë pa ndonjë studim të mirëfilltë dhe janë tejet të vogla, ma mirë do të ishte t’i kishim kushte të favorshme të bizneseve në Kosovë, me luftua korrupsionin me zhvillu shtetin ligjor ndoshta do të ishte me mirë se sa të themelojmë zona të tilla, kur në shumicën e rasteve këto zona të shumta të cilat janë bërë në vend janë më shumë për arsye elektorale, dhe ndoshta më mirë do të ishte të kishin taksa të mira për bizneset, ku informalitetit është i ultë ku luftohet korrupsioni dhe kushte për ta se sa të themelojnë lloj-lloj zonash të cilat po dështojnë me fillim. Vetë fakti se Kosova ka këtë numër të papunësisë tregon se ne nuk jemi serioz në punë”, tha Mustafa.
Njohësi tjetër i ekonomisë, Musa Limani, ka thënë për Arbresh.info, se si koncept këto zona janë mjaft të mirëseardhura për komunat të cilat nuk janë të zhvilluara, por që në Kosovë, nuk kanë pasur program për t’i zhvilluar këto zona dhe prandaj kanë dështuar ende pa filluar.
“Nga aspekti i zhvillimit ekonomik duhet të ekzistojnë /zonat përkatëse për zhvillim ekonomik, prandaj në aspektin ekonomik është e drejtë që të përcaktohen këto zona në ato komuna të cilat vlerësohet që kanë nevojë për një zonë të tillë, sepse kanë efektin e vetë qoftë për investitorë qoftë për mërgatën sepse e dinë kur të orientohen. Ndërsa pse nuk janë funksionale është çështje tjetër. Mos efikasiteti i shfrytëzimit të këtyre zonave është si mungesa e programeve dhe e shfrytëzimit nga pushtetet komunale. Menaxhimi jo adekuat dhe mos shfrytëzimi i këtyre faktorëve është njëra prej arsyeve pse po dështojnë këto zona. Mungesa e profesionalizimit he programeve është një prej këtyre faktorëve”, shtoi tutje Limani.
Lidhur me dështimin e këtyre zonave, nuk kanë dhëne përgjigje në KIESA, zyrë kjo e cila është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.
Ndryshe në Kosovë, janë gjithsej tetë Zona Ekonomike në Komuna të ndryshme. Parku i Biznesit Drenas (Zona Industriale Drenas), Parku i Biznesit Mitrovicë, Zona Ekonomike-Parku Teknologjik në Shtime, Parku Industrial në Mitrovicë, Zona Agro-Industriale në Suharekë, Parku Industrial në Lipjan, Zona Industriale në Suharekë, Parku Industrial në Viti. Përveç Drenasit që është pjesërisht funksionale, të tjerat janë të gjitha jashtë funksionit.
