Aktuale
3 OJQ të mëdha kundërshtojnë Abelard Tahirin për shuarjen e OSHP-së

Institucionit më të përfolur sa i përket korrupsionit lidhur me tenderët, ai i Organit Shqyrtues të Prokurimit po kërkohet t’i vihet çelësi. Një gjë të tillë po e kërkon ministri i Drejtësisë Ableard Tahiri.
Arsyeja e shuarjes së këtij institucioni sipas tij duhet të ndodhë meqë aty po ka ndërhyrje nga jashtë.
Por këtë nismë të ministrit Tahiri me këto arsyetime nuk po i pranojnë organizatat të cilat po merren me drejtësinë dhe me këtë institucion.
Madje kjo nismë u quajt si e rrezikshme dhe e pamatshme nga ana e ministrit Tahiri.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Demokracia Plus si dhe Instituti Demokratik Kosovar (KDI) të kontaktuar nga Ndërtimi.info janë shprehur se shuarja e institucionit të OShP-së nuk është zgjidhja por që OShP duhet që të fuqizohet.
Që të tri këto OJQ janë të njëjtit mendim që politika t’i mbajë duart larg OShP-së.
Diana Metushi-Krasniqi nga KDI thotë për Ndërtimi.info se duhet të adresohej monitorimi më i detajuar i punës së këtij organi, e sidomos pasi që është raportuar për vendime kontradiktore .
“Ne jemi të pajtimit që ky organ nuk duhet të jetë I ndikuar nga politika, meqë anëtarët e bordit propozohen dhe miratohen në kuvend. Gjithashtu, do të duhej të adresohej monitorimi më I detajuar i punës së këtij organi, sidomos meqë është raportuar për vendime kontradiktore, si dhe të rritej numri i anëtareve të bordit udhëheqës, që në rastet e mundshme të suspendimeve, të ketë anëtar të mjaftueshëm për marrjen e vendimeve konform legjislacionit në fuqi”, tha Metushi-Krasniqi.
E në rast se do të ndodhte shkrirja e Organit brenda Gjykatave të Kosovës, ajo rekomandon se ky organ të kaloj si dhomë e veçantë pranë Gjykatës Themelore, Departamenti për çështje administrative.
Ajo gjithashtu ka treguar se OShP vetëm gjatë vitit 2017-të ka marr 1373 ankesa rreth proceseve të tenderimit.
Iniciativat si kjo për shuarjen e OShP-së po paraqet paradoks në vete bazuar në kohën kur besimi në sistemin gjyqësor është jashtëzakonisht i ulët, kështu është shprehur hulumtuesi i lartë në IKD Ehat Miftaraj.
Miftaraj për Ndërtimi.info ka thënë se kjo ide hyn në vazhdën e lojërave të deritanishme të kësaj ministrie, e cila siç thotë ai përmes iniciativave të ngjashme po tenton që të ik nga problemet praktike dhe aktuale që ka Kosova.
Ai tregon edhe se pse kjo nismë e ministrit Tahiri po paraqet paradoks në vete.
“IKD vlerëson se nisma e Ministrit Tahiri, paraqet paradoks në vete, bazuar kohën kur vjen, kohë kjo kur besimi në sistemin gjyqësor është jashtëzakonisht i ultë, kohë kur raportet e progresit në vazhdimësi e kritikojnë sistemin gjyqësor për mungesë të kapaciteteve profesionale për të trajtuar lëndët që i takojnë prokurimit publik në mënyrë të pavarur, paanshme dhe të drejtë, kur sistemi gjyqësor është i stërngarkuar më lëndë të natyrave të ndryshme civile, administrative, ekonomike dhe zgjidhja e këtyre lëndëve merr kohë që matet me vite e në raste të caktuara edhe me dekada, është një nismë jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e pamatur”, shpjegon Miftaraj.
Mos ndërhyrja në pavarësinë dhe punën e OShP-së është ajo për të cilën sipas Miftaraj duhet të sigurohet politika, e që kjo e fundit duhet të kërkojë përgjegjësi për aq sa ja lejon Kushtetuta dhe Ligji që të ndjekin dhe hetojnë penalisht gjithë ata persona përfshirë edhe politikën kur ndërhyjnë në punën e OShP-së.
Por që ka theksuar se për gjithë këtë duhet patur vullnet politik, vullnet ky të cilin nuk e zotëron politika kosovare.
“Për këtë nevojitet vullnet politik, që fatkeqësisht në politikën kosovare nuk është dëshmuar se ekziston. IKD vlerëson se aq sa është i politizuar apo ndikuar nga politika OSHP, aq janë edhe sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor. IKD dhe akterë të tjerë të pavarur vazhdimisht kanë dëshmuar se sistemi i drejtësisë është i ndikuar nga politika, duke i emëruar praktikisht e jo formalisht pozitat kyçe duke filluar prej kryeprokurorëve e kryetarëve të gjykatave”, thekson ai.
Gjithashtu, IKD ka vlerësuar se institucioni i OShP-së e njohur edhe si Gjykata e Tenderëve ka probleme në aspektin profesional, pavarësinë dhe ushtrimin e ndikimit nga grupet e interesit apo edhe nga politika.
“IKD vlerëson se OSHP ka shumë probleme duke filluar nga aspekti profesional, pavarësia dhe ushtrimi i ndikimit nga grupe të interesit apo politika. Sidoqoftë, instsitucionet përgjegjëse në Kosovë, në rradhë të parë duhet të kenë vullnet politik për të mos ndërhyrë në punën dhe aktivitetet e OSHP-së, dhe pastaj me një vlerësim dhe analizë të gjithmbarshëme të identifikojnë dhe japin zgjidhje problemeve ligjore dhe praktike që ky institucion ballafaqohet. Sikurse, Bashkimi Evropian dhe USAID përmes asistencës së tyre janë duke ndihmuar OSHP-në por edhe komunat e Kosovës për të ngritur efikasitetin, profesionalizmin dhe pavarësinë e tyre në çështjet e prokurimit publik”, thotë hulumtuesi i lartë në IKD, Ehat Miftaraj.
Iniciativë të pa vend për shuarjen e OShP-së e ka cilësuar edhe organizata joqeveritare Demokracia Plus, e cila mbikëqyr këtë organ tash e dy vite.
Isuf Zejnaj nga Demokracia Plus i tha Ndërtimi.info se shuarja e këtij institucioni nuk është zgjidhje pasi që gjithë kompetencat duhet të iu barten gjykatave, ku ka theksuar se Gjykatat në Kosovë përveç që janë të korruptuara janë edhe jo efikase.
Meqë arsyeje e Tahirit që të shuhet institucion ministri se aty po ka ndikime të mëdha nga jashtë, Zenaj tha se nëse ky është problemi atëherë le të ndalin ndërhyrjet që nga bashkëparitakët e Tahirit që janë në Qeveri dhe që për këtë nuk është e nevojshme të shuhet OShP.
Ndryshe, ministri Tahiri kërkesën për shuarjen e institucionit të OShP-së e ka bërë gjatë ditës së djeshme në Takimin e Nivelit të Lartë për Sundimin e Ligjit, që kishte pikërisht këtë temë-prokurimin publik.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se këtë gjë e ka kërkuar, pasi vërehet që ky institucion ka ndikime të mëdha nga jashtë.
“Takimi i Nivelit të Lartë për Sundimin e Ligjit, sot kishte për temë prokurimin publik, si një prej fushave problematike që e kanë shoqëruar diskursin institucional për vite të tëra. Në mes tjerash, u diskutua për të arriturat, sfidat dhe problemet që e karakterizojnë veprimtarinë e Organit Shqyrtues të Prokurimit në Republikën e Kosovës. Prokurimi publik është proces jashtëzakonisht i rëndësishëm përmes së cilit realizohen shpenzimet publike të parave të taksapaguesve tanë, prandaj si institucione të përgjegjshme duhet ta evitojmë mundësinë e ndikimit politik të këtij organi. Konsideroj se formula e zgjedhjes së bartësve të funksioneve të shqyrtimit të prokurimit publik nga ana e Kuvendit të Kosovës, paraqet një rrugë të mundshme për ndikim politik, trajtim jo të barabartë të lëndëve që janë subjekt i shqyrtimit dhe rrezik të keqpërdorimit. Që nga themelimi i këtij organi, ka pasur debate rreth mundësisë së depërtimit të korrupsionit dhe kontrollit të tij nga politika” ka shkruar Tahiri.
Ai ka theksuar se gjithë ky ndryshim pritet të bëhet në kuadër të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, ndërkaq lëndët e kësaj natyre mund t’i kalojnë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
