Aktuale
1 euro në muaj paguajnë partitë politike për shfrytëzimin e lokaleve

Partitë politike që janë në Asamblenë e Prizrenit, paguajnë vetëm 1 euro në muaj për shfrytëzimin e lokaleve. Këto lokale shfrytëzohen prej vitit 2005 pa asnjë ankand publik, me një vendim të asambleë komunale.
Kjo është vetëm një nga shumë gjetjet e Auditorit për komunën e Prizrenit.
“Komuna kishte lidhur kontrata për shfrytëzimin e pronave komunale me çmim 1€ në muaj, për nëntë lokale për partitë politike të cilat përfaqësojnë Asamblenë Komunale. Për këto lokale nuk ishte organizuar ankand publik siç kërkohet me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale. Sipas zyrtareve komunal lokalet ishin dhënë në shfrytëzim në bazë të vendimit të asamblesë komunale të vitit 2005”, ka gjetur Auditori, raporton lajmi.net.
Madje gjetjet tjera tregojnë se disa prona komunale të Prizrenit, shfrytëzohet pa kontrata qysh nga viti 2013.
“Në dy raste qiramarrësit e shfrytëzojnë pronën komunale për tregje pa kontratë valide, sepse kontrata ju kishte skaduar qysh në vitin 2013, ndërsa gjatë vitit 2017 nuk janë ngarkuar nga komuna. Sipas zyrtarëve komunal të gjitha procedurat kanë përfunduar dha ka mbetur vetëm nënshkrimi i kontratave. Këta qiramarrës kanë obligime ndaj komunës në vlerë 182,476€, që krahasuar me vitin e kaluar kanë zbritur obligimet e tyre për 103,358€ (obligimet e tyre ndaj komunës në vitin 2016 ishin 285,834€), pas marrëveshjeve të arritura nga komuna dhe qiramarrësit”, ka gjetur tutje Auditori i Përgjithshëm.
Më poshtë mund të gjendi disa nga shumë shkeljet e tjera të gjetura:
Mungesë e dosjeve të personelit
Për 29 zyrtarë të cilët janë të angazhuar në Drejtorin për Emergjencë dhe Siguri, zyrtarët përgjegjës nuk ishin në gjendje të na ofrojnë dosjet e kompletuara dhe kontratat e këtyre zyrtarëve, në bazë të të cilave kryhet kompensimi i pagave. Sipas menaxherit të personelit nuk ka dokumentacion relevant për këta zyrtar, dhe kjo dukuri është shfaqur si pasojë e një memorandumi të nënshkruar vite me parë pasi që zyrtaret janë pjesë e Ministrisë të punëve të brendshme, ndërsa kompensimi i pagave dhe kompensimet e tjera kryhen nga komuna.
Kjo pasqyron një mungesë të specifikave të qarta për Burimet Njerëzore që ndërlidhen me zbatimin e kërkesave të UA-ve si pjesë e përshkrimit të detyrave të tyre të punës. Për me tepër identifikuam se një pjesë e listave të pagave nuk janë nënshkruar nga të punësuarit e komunës.
Mungesë e dëshmive për punët jashtë orarit
Vlera e kompensimit për punë shtesë gjatë vitit 2017 është 20,200€. Aprovimi për orët shtesë bëhet kryesisht me arsyetimin e rritjes së vëllimit të punëve. Në tri raste zyrtarët janë paguar për orë shtesë të angazhuar gjatë vikendeve (sipas formularit nga autorizuesi i punës jashtë orarit, Seksioni B, pjesëmarrje në komisione me rastin e rekrutimit, takimet e grupeve punuese për përgatitjen e testeve), mirëpo në sistemit elektronik nuk kishte evidencë/gjurmë për të justifikuar prezencën e stafit dhe kompensimin tyre për ketë periudhë. Në bazë të informatave nga mbikëqyrësi, takimet janë mbajtur jashtë objektit ku është vendosur sistemi elektronik i evidentimit të zyrtarëve
Parregullsi në angazhimin e stafit për shërbime të veçanta
Komuna gjatë vitit 2017 kishte angazhuar 78 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta. Pagesa për këto shërbime është bërë nga kategoria mallra dhe shërbime. Nga tetë rastet e testuara, të gjitha kontratat janë lidhur për pozita të rregullta të punës (nëpunës arkivi, tatimi në pronë, për shërbime me qytetaret, roje pyllit etj.), e jo për ekspertë të fushave përkatëse.
Pagesa për mallra dhe shërbime pa procedura të prokurimit
Pagesa në vlerë 4,000€, për sigurimin e automjeteve është bërë pa procedura të prokurimit, pasi që komuna nuk ka kontratë me ndonjë Operator Ekonomik (OE) për sigurimin e automjeteve. Ligji i prokurimit publik nuk i përjashton këtë lloj të shpenzimit nga procedurat. Në pagesën në vlerë 10,578€ për mirëmbajtën e automjeteve, komuna ka paguar shumen prej 5,504€ për artikujt të cilat nuk janë të parashikuar në kontratë. Sipas kontratës së nënshkruar në mes komunës dhe OE, në pamundësi të përfshirjes së të gjitha pjesëve të cilat janë objekt i furnizimit dhe ndërrimit, formohet një komision nga ana e komunës për furnizimin e tyre sipas çmimeve të tregut që bije në kundërshtim me nenin 1 dhe 4 të kontratës. Gjatë testimit të pagesës nuk kemi gjetur dëshmi të formimit të komisionit por vetëm faturim nga ana e OE.
Pagesat e gjobave i pasojë e vonesave në kryerjen e obligimeve
Nga 600,000€ të ndara me ligjin e buxhetit për vitin 2017, për projektin “Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza në Vlashnje”, komuna ka transferuar 593,290€ tek KRU Hidroregjioni Jugor sipas marrëveshjes, prej të cilave 387,078€ janë paguar gjobë, të shqiptuar nga OE për shkak të vonesave për kryerjen e obligimit me kohë, ndërsa pjesa tjetër prej 206,212€ kanë mbetur në xhirollogarinë e KRU Hidroregjionit Jugor si masë e nevojshme shtesë për sigurimin e projektit. Kostoja e këtij projekti sipas vlerësimit themelor ka qenë rreth 20.5 milion€, prej të cilave 12 milion€ do të financohet nga Banka Gjermane për Zhvillim (Kfë).
Gjatë vitit 2016, financuesi gjerman, kishte njoftuar komunën për vonesat në zbatim të projektit dhe për shpenzimet shtesë (me më shume se katër vite, pas nënshkrimit të marrëveshjes, shtator /2011). Sipas zyrtareve të komunës vonesat në shpronësim kanë ardhur si pasojë e mungesës së bordit të AKP-së. Për me tepër nga 28 pagesat në vlerë prej 467,496€ të kryera direkt nga thesari në bazë të vendimeve gjyqësore dhe përmbaruesit privat, vetëm për shpenzimet administrative dhe shpenzime tjera përmbarimore janë paguar 41,937€. Një ndër arsyet e një dukurie të tillë ishte lidhja e kontratave më OE ende pa u siguruar fondet e nevojshme. /Lajmi.net/
