Featured
Askush nuk jep përgjegjësi për përmbytjen e rrugës te Stacioni i Autobusëve
Shiu i madh gjatë orëve të pasdites, i cili përshkoi kryeqytetin gjatë ditës së djeshme bëri që disa rrugë të kryeqytetit të jetë të pa kalueshme.
Shumica e këtyre rrugëve ishin të pakalueshme për disa orë, por rruga tek ura e cila të dërgon drejt Stacionit kryesor të Autobusëve në Prishtinë vazhdoi të jetë e pakalueshme për një kohë më të gjatë.
Të kalohej përgjatë kësaj rruge në këmbë nuk bëhej fjalë, por vihet në dilemë edhe kalimi me vetura.
Lidhur me këtë problem që ndodhë çdo herë pas reshjeve të shiut tek ura që të dërgon në stacioni i autobusëve Ndertimi.info ka kontaktuar me Drejtorinë e Shërbimeve Emergjente për të pyetur se si është gjendja e kësaj rruge sot dhe se a janë dal ekipet e pastrimit në vendin e ngjarjes. Xhevdet Ibrahimaj nga Drejtoria Emergjente ka sqaruar për Ndertimin.info se nuk është në përgjegjësinë e tyre mirëmbajtja e asaj pjese.
“Nuk është në kompetencat tona ta pastrojmë atë pjesë. Ne kemi për detyrë ta pastrojmë dhe mirëmbajmë vetëm deri tek rrethi, e ajo pjesë te Stacioni i autobusëve është nën kompetencat e Ministrisë”, ka thënë Ibrahimaj.
E zyrtarët e ministrisë kanë treguar se Ministria e Infrastrukturës ka për detyrë të pastrojë autostradat dhe rrugët regjionale, por jo edhe rrugët e qytetit.
Ndërtimi.info ka provuar të flasë edhe me zyrtarë të Stacionit të Autobusëve, por ata nuk kanë dhënë asnjë informacion./Ndertimi.info/
You must be logged in to post a comment Login