Aktuale
Komuna e Podujevës sot vlerëson dëmet e shkaktuara nga shiu

Reshjet e shiut që ranë të enjten dhe të premten e javës së kaluar në vendin tonë, përveç vërshimeve, shkaktuan edhe dëme në kulturat bujqësore në shumë vende. Dëmet më të theksuara ishin në kulturat bujqësore të fshatrave të Podujevës. Vend ky i cili njihet më së shumti për kultivimin e mjedrës.
Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi, ka thënë për Gazetën Express se komisioni komunal ka dalur sot në vendet e dëmtuara, për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut. Ky komision do të mbledhë të dhënat nga tereni dhe do të bëhet një raport i përgjithshëm, i cili do të dërgohet në Ministrinë e Bujqësisë.
“Nga sot komisioni komunal është në teren, te secili fermer, për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut. Do të mblidhen të dhëna nga tereni dhe do të dërgohen në Ministrinë e Bujqësisë dhe presim një përkrahje prej tyre”, ka thënë Januzi për Express.
Tutje Januzi ka thënë se është një numër i konsiderueshëm i fermerëve që janë paraqitur si të dëmtuar, por komisioni komunal është duke i verifikuar të gjitha dëmet.
Gjithashtu ai ka thënë se kanë shpresë që Ministria e Bujqësisë të marrë masa, sikur në vitet 2015 dhe 2016, kur Qeveria kishte ndarë një fond për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.
“Qeveria duhet të marrë masa, si në vitin 2015 dhe 2016 që janë pagu 25% të dëmeve për fermerët e dëmtuar. Komuna e Podujevës nuk ka ndonjë fond, por nëse nuk na ndihmojnë institucionet përkatëse, në vitet në vijim do të planifikojmë që të organizojmë ndonjë fond së paku me subvencione, që t’i ndihmojmë fërmerët e dëmtuar”, ka thënë Januzi.





Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/komuna-e-podujeves-sot-vlereson-demet-e-shkaktuara-nga-shiu-552011/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
