Aktuale
YAHR: Lipjani pa investime në ujësjellës, kanalizim dhe menaxhim mbeturinash

Asociacioni Rinor për të Drejtat e Njeriut (YAHR), ka publikuar raportin e monitorimit të Ekzekutivit të Komunës së Lipjanit për periudhën janar-qershor të këtij viti. Ndër problemet më të theksuara, sipas kësaj OJQ-je, janë: mungesa e investimeve për trajtimin e ujërave të zeza, mosinvestimet në rrjetin e ujësjellësit si dhe mosmenaxhimin e mbeturinave, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ekzekutivi i Komunës së Lipjanit edhe gjatë kësaj periudhe janar-qershor të këtij viti është përballur me shumë sfida dhe vështirësi. Duke filluar që nga tri problemet kryesore që përballën sot qytetarët e komunës së Lipjanit: Problemin e trajtimit të ujërave të zeza, problemin me furnizim me ujë të pijshëm dhe ndotjen e lumit Sitnica dhe deri tek problemet në mes ekzekutivit të Komunës së Lipjanit dhe Ministrisë së infrastrukturës, ku kjo e fundit pa pëlqimin e Komunës së Lipjanit i heq tri projekte të planifikuar me buxhet të ministrisë për vitin 2018, thuhet në komunikatën e YAHR-s. Sipas tyre projekti i rrugës regjionale Lipjan-Banullë, Llugë-Radevë dhe të rrugës “Sadik Shala” në Lipjan janë hequr nga prioritetet e Ministrisë së Infrastrukturës pa ndonjë arsyeje konkrete.
Sivjet buxheti i kësaj komune arrin në 16.102.983,57 eurosh. Shumica e buxhetit të komunës shkon në paga dhe mëditje, për punëtorët në sferat e administratës komunale, shëndetësisë dhe arsimit.
Buxheti i përgjithshëm i komunës së Lipjanit për periudhën 1 janar- 31 maj 2018 ka arritur që të shpenzohet në shumën prej 62.97 për qind ose 5.470.753,39 euro nga mjetet e buxhetit të alokuar për këtë periudhë.
