Aktuale
Të hënë e ardhshme nis Festivali i Arkitekturës në Kosovë

Ngjarja më e madhe e arkitekturës në Kosovë do të fillojë më 2 korrik. Deri në muajin shtator, këtë vit festivali me temën “Arkitektura e Shkruar”, do të sjellë aktivitet të ndryshme.
“Gjatë 2 javëve të para të korrikut në Prishtinë do mbahen 12 ligjërata, 6 punëtori, 5 shfaqje të filmave, 1 ekspozitë, 2 promovime të librave, 1 debat dhe 1 sallon i librit. Programi do vazhdojë edhe gjatë muajit gusht dhe shtator me 2 ekspozita tjera, 2 punëtori dhe 3 ligjërata. Këtë vit tema e festivalit është ‘Written Architecture’ – ‘Arkitektura e Shkruar’ dhe fokusi i ligjëratave, debatit dhe disa punëtorive do jete mungesa e leximit dhe shkrimit kritik ne arkitekture (posaçërisht asaj lokale). Ne sallonin e librit do te prezantohen disa nga shtëpitë publikuese me te njohura ne boten e arkitekturës sikurse ‘DPR-Barcelona’ ‘Actar’ ‘Urban Next’ dhe ‘Mies Foundation’”, thuhet në njoftimin e Fondacionit Kosovar të Arkitekturës.
Gjithashtu, 4 punëtori do organizohen nga partnerët dhe arkitektët e ri evropian të Future Architecture, një punëtori nga Ivan Kucina nga Dessau. ISA si dhe për herë të parë do organizohet një punëtori për dizajn industrial, që do udhëhiqet nga Rainer Mutsch, njëri nga dizajnerët industrial më të njohur në botë.
Disa nga ligjëratat më të dalluara do jenë ato të Antoine Willmering nga Getty Foundation, Liam Young nga Sci-Arch, Ivan Blasi nga Mies Foundation si dhe ajo nga Eliza Hoxha, kuratorja e Paviljonit të Kosovës ne Biennalen e Venedikut të sivjetmë.
Te gjitha ligjëratat do mbahen ne Kino Armata, çdo mbrëmje duke filluar nga ora 19.00. Salloni i librit dhe debati mbi shkrimin kritik do mbahet në Soma.
