Aktuale
Banesat në Prishtinë më lirë se vitin e kaluar

Prishtina është qyteti në të cilin ndërtesat e larta janë ngritur pothuajse në çdo anë. Edhe lagjet që dikur ishin shumë pak të banuara, viteve të fundit janë stërmbushur me objekte të larta banesore. E, për tu bërë pronar i një banese në kryeqytet çmimet janë të ndryshme.
Për të blerë një banesë në kryeqytet minimumi për metër katror duhet paguar 650 euro. Ndërsa, çmimi me i lartë për metër katror arrin rreth 2 mijë euro, shkruan Ndërtimi.info.
E, për të blerë një banesë këtë vit po del të jetë pak më lirë sesa vitin paraprak.
Çmimi i një banese ndryshon, varësisht nga lagjja dhe ndërtimi. Edhe pse objektet e reja po shtohen dita ditës, ato të vjetrat po kushtojnë më shtrenjtë. Edhe lagjet ku janë objektet e vjetra po dalin të jenë të kërkuara.
Lagjet më të kërkuara, ku gjenden shumica e ndërtimeve të vjetra janë Ulipana, Dardania, Qendra dhe Pejtoni. Por, shkaku i çmimit më të lirë lagjet e reja janë më të kërkuara se ato të vjetrat. Ndërsa, zona më e kërkuara, me objekte banesore të ndërtimit të ri, është rruga “B”.
Faton Beqiri, nga Agjencia e Patundshmërive “M1”, tregoi për Ndërtimi.info çmimet e banesave në këto lagje.
“Për blerje interesim më të madh për banesa të vjetra janë Ulipana dhe Dardania, sepse janë më të lira në çmimi, 1000 – 1300 euro për metër katror, nuk kanë ndryshuar në raport me vitin e kaluar. Qendra edhe kjo ka mbet ndoshta e pandryshuar, mundet me pas një ulje të çmimit, ka qenë 2000 euro metër katoro, tash mundesh me siguru edhe me 1700 – 1800. Fakti që hymjet nuk po mirëmbahen dhe ka pastërti, zhurmë. Rruga B është shumë e kërkuar, çmimi rreth 650 -750 euro metër katror për shitje”, tha ai.
Se çmimet e ndërtimeve të vjetra janë më të larta e tha edhe Sali Maxhuni, nga Agjencia e Patundshmërive “Access”.
Por, sipas tij çmimet në këto objekte janë pak më të lira nëse blihet një banesë në kate të larta të objektit.
“Qendra, tash dihet që ndërtimet e vjetra janë më të shtrenjta. Mund të shkojë deri në 2000 euro për metër katror . Në Ulpianë dhe Daradani mund të fillojë prej 1 mijë euro, por për kate me të larta shkon më pak se 1000”, tha ai.
Ndërsa, sa i përket rrugës “B”, sipas çmimi më i lartë mund të arrijë në 1 mijë e 100 euro. E, afër kësaj rruge, në Lagjen e spitalit, sipas Maxhunit, mund të blihet banesa më e lirë në Prishtinë, me çmim prej 650 euro për metër katror.
Derisa në Prishtinë ekzistojnë këto çmime, në qytetin ngjitas, Fushë Kosovë, është situatë krejt tjetër.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Patundshmërive “M1, në komunën e Fushë Kosovës banesat kushtojnë 450 euro për metër katror, çmim i cili ka shënuar rritje në raport me vitin e kaluar. Në vitin paraprak atje metri katror i banesës kishte kushtuar 400 euro. /Ndërtimi.info.
