Aktuale
Braktisja e Dragodanit, që s’po shihet si e mirë për banim

Ardhja e ndërkombëtarëve me misione të ndryshme në Kosovë solli edhe përfitime financiare për një pjesë të qytetarëve të Prishtinës. Shumë prej qytetarëve të lagjes së Dragodanit kishin lëshuar me qira shtëpitë e tyre për këta të huaj, kundrejt një pagese goxha të mirë. Mirëpo, tash e një kohë kjo lagje nuk është fort në shënjestër të qiramarrësve, si kohë më parë. Interesimi për të marrë shtëpi me qira në këtë pjesë të qytetit ka rënë dukshëm.
E, tashmë që disa nga këta të huaj kanë përfunduar mision e janë larguar, qiradhënësit i kanë zbritur çmimet, shkruan Ndërtimi.info.
Lagjja Arbëria apo Dragodani është e njohur për atë që shumë ndërkombëtarë kanë marrë shtëpi me qira në të. Në këtë zonë qytetarët në disa raste kanë fituar 400 euro në muaj vetëm për një dhomë të lëshuar me qira. Por, tash këtë shumë zor e fitojnë edhe nëse e lëshojnë gjithë shtëpinë.
Se çmimet e qirave në këtë pjesë të kryeqytetit kanë ndryshuar e thonë në agjencitë e patundshmërive.
Sali Maxhuni nga Agjencia e Patundshmërive “Access”, tregoi për Ndërtimi.info, se banorët e lagjes Arbëria nuk e kanë më mundësinë që nga një dhomë gjumi të fitojnë financiarisht aq sa në pjesë tjera të qytetit fitohet nëse lëshohet e gjithë shtëpia me qira.
“Ka ra çmimi i qirave në Dragodan, për shkak se ka më pak të huaj. 400 euro është lëshuar një dhomë gjumi, tash nuk ka ashtu. Tash me 300 euro mund të merret një banesë. Ka pas banesë që me dhomë gjumi është lëshua 500 euro, tash e merr me 400”, tha ai.
Se tash për të marrë një banesë banimi në këtë lagje për një muaj paguhet vetëm 300 euro e konfirmon edhe Faton Beqiri nga Agjencia e Patundshmërive “M1”.
“Dragodani është zonë më e shtrenjtë sesa lagjet e tjera periferike, sepse ka ndërkombëtarë dhe është lagje afër bazës së KFOR-it dhe është një numër i madh i ambasadave. Çmimin e qerasë e kanë ulë, sepse ndërkombëtarët kanë filluar me lëvizë, kanë përfunduar misionet dhe çmimi i qeras ka ra. Nëse një banesë më herët është lëshuar me 500 euro tash lëshohet me 300 -350 euro”, u shpreh ai.
Por, tani braktisja e kësaj lagje, në krahasim me të kaluarën, po ndodh edhe për shkak të favorizimit dhe rritjes së aktivitetit ne Rrugën B. Në rënien e interesimit për të banuar në Dragodan ka ndikuar edhe opinioni i eksperteve për tokën jo te sigurte ku janë të ndërtuara ndërtesat.
Ndërkaq, në vitin 2013 kishte filluar rrëshqitja e dheut në këtë laje të Prishtinës, në zonën ku ishin ndërtuar objekte të reja derisa të tjera ishin në proces. Por, problemet me rrëshqitje të dheut vazhduan edhe viteve në vazhdim.
Në vitin 2016, pas një hulumtimi që kishte bërë Instituti Gjeologjik i Kroacisë, ishte gjetur se rrëshqitja e dheut në këtë lagje të kryeqytetit është rezultat i ujërave nëntokësore.
Sipas këtij Instituti, çdo ndërtim në këtë lagje duhet t’i nënshtrohet rregullave të reja për miratimin e lejeve, që nënkupton disa specifika të veçanta teknike të ndërtimit, siç janë themelet dyfish më të thella të godinave.
Ekspertët kroatë kishin rekomanduar që tërë hapësira e kodrës së Dragodanit të pyllëzohet, duke qenë se drunjtë janë mënyra natyrore e thithjes së ujit nëntokësor.
Kjo lagje e njohur e kryeqytetit ishte e preferuara e ndërkombëtareve edhe për arsye se atje janë të vendosura shumica e ambasadave të huaja që funksionojnë në Kosovë. /Ndërtimi.info/
