Aktuale
Banorët e Mejës ankohen në Kuvend për gjendjen e Kompleksit Memorial

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione janë mbledhur sot për të dëgjuar nga banorët e Mejës së Gjakovës vërejtjet e tyre për punimet në kompleksin memorial në këtë fshat.
Haki Sadrija, kryetar i Shoqatës së familjarëve të personave të zhdukur “27 Prilli 1999-Mejë”, tha se kjo shoqatë nuk ka pasur qasje në tender dhe nuk e dinë as kush është fituesi i tij.
“Sa i përket zhvillimit të punimeve ka lëshime drastike. Gabimet janë mbulu me beton e pllaka. Tash është duke u vendos graniti ndërsa është deviju materiali”, tha Sadrija.

Ai tha se banorët disa herë i kanë ndaluar punimet për të kërkuar cilësi më të mirë të tyre.
“Na është premtu që do të ndërprehen punimet e do të ndryshohen, asnjëherë nuk janë ndërpre”, tha ai.
Sipas Haki Sadrisë, deri më tani 46 pllaka të mermerit në varreza janë thyer.
“Lënda është në prokurori s’di qysh i vazhdojnë punimet me përmirësimin e gabimeve që i kanë ba”, tha ai.
Muajin e kaluar, kryeministri Ramush Haradinaj kishte kërkuar nga prokuroria që të hetojë keqpërdorimet e mundshme në këtë memorial.
më 27 prill të vitit 1999, forcat serbe vranë 376 civilë shqiptarë në Mejë. Shumë nga ta ende figurojnë në listën e të zhdukurve
Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se Komisioni i intereson që të përmbyllen punimet në këtë kompleks.
“Komisionit më së shumti i intereson mu përmbyll kompleksi si duhet e jo mu ndërtu varrezat nga familjarët. Përkrahja dhe mbështetja jonë është e parezervë”, tha ajo.
Saranda Bogujevci e Vetëvendosjes tha se pret që punimet në këtë kompleks të kryhen deri në fund të këtij viti ndërsa Lirie Kajtazi e LDK-së e quajti “më shumë se krim” keqpërdorimin e memorialëve.
“Është e pafalshme me prekë në gjëra të shenjta. Drejtori i agjencisë është arsyetu për mos ardhje pasi edhe ne e dimë që lënda është në prokurori”, tha ajo.
Ndërsa Mexhide Mjaku Topalli e PDK-së tha se ndihet keq kur i sheh familjarët e të vrarëve në masakrën e Mejës në gjendje të tillë, pa një memorial të përfunduar 19 vjet pas përfundimit të luftës.
“Ne shpresojmë në drejtësinë e institucioneve tona”, tha Mjaku- Topalli.

