Aktuale
Haskuka paralajmëron inspektim në rindërtimin e Teqes në Marash

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka thotë se do të ketë inspektime në rindërtimin e Teqes së Marashit në Prizren.
Kjo pasi që organizata jo- qeveritare “Ec Ma Ndryshe” gjatë ditës së sotme ka njoftuar se në Teqen në Marash janë evidentuar disa tejkalime gjatë rindërtimit të saj.
Haskuka për Kallxo.com ka treguar se ka kërkuar nga ana e Inspektoratit ta shikoj rastin, ndërsa paralajmëroi se do të ndërmerren masa për këtë rast.
“Jo unë faktikisht kërkova nga inspektorati të shikojnë rastin, ajo ka pasur leje ndërtimi, tash ndoshta leja nuk ka qenë sipas rregullave, tash po thonë se ka pasur një tejkalim në kulm. Inspektorati do ta shikoj rastin, ne jemi duke mbikëqyr të gjithë qytetin, edhe në këtë rast do të ndërmerren masa”, tha Haskuka.
Ndërsa në njoftimin e organizatës “Ec ma Ndryshe” thuhet se Punimet për rindërtimin e Teqes, të cilat janë duke u zhvilluar brenda kompleksit të mbrojtur të Marashit, nuk janë duke iu përmbajtur kushteve të përcaktuara nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore dhe njëkohësisht këto punime janë duke e shkelur Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.
Në bazë të projektit të siguruar në QRTK Prizren, “EC” vëren se te kulmi ka tejkalim në krahasim me projektin e dorëzuar në Komisionin e MKRS-së dhe me të cilën është siguruar leja për rindërtim të Teqes në Marash.
“EC Ma Ndryshe”, në nëntor të vitit të kaluar bashkërisht edhe me konstatimet e QRTK Prizren pati reaguar ndaj mosnjoftimit të investitorit ndaj QRTK-së për fillimin e punimeve si dhe tejkalimeve në ndryshim të morfologjisë së terrenit. Për më tepër shih reagimin.
EC konsideron se institucionet qendrore përgjegjëse për trashëgimi kulturore bashkërisht me Komunën e Prizrenit duhet ti monitorojnë aktivitetet ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit. Për më tepër “EC” i bën thirrje Inspektoratit të MKRS-së dhe atij të Komunës së Prizrenit që ti evidentojnë tejkalimet në projektet e aprovuara dhe të marrin masa sipas dispozitave ligjore përkatëse.
