Aktuale
Dy vjet burg për inspektorin e ndërtimit të akuzuar për 3 mijë euro ryshfet

Gjykata Themelore në Gjilan e ka gjetur fajtor dhe dënuar me dy vjet burg inspektorin e ndërtimit me inicialet B.A duke i ndaluar gjithashtu edhe ushtrimin e funksioneve në administratën publike për dy vite.
Përmes një njoftimi për media, Gjykata Themelore në Gjilan,i akuzuari dyshohet se gjatë muajit nëntor 2015 në cilësinë e personit zyrtar – Inspektor i Ndërtimit, fillimisht ka kërkuar ryshfet në shumë prej 5.000 Euro, nga i dëmtuari A. I, që të mos rrënojë një pjesë të objektit i cili ishte mbi ndërtim, ndonëse ishte në kundërshtim me leje ndërtimore në objektin banesor, duke e ftuar në celular disa herë për tu takuar dhe më pas ka marr shumën e të hollave prej 3.000 Euro nga i dëmtuari.
Me këto veprime sipas njoftimit të Gjykatës në Gjilan, i akuzuari ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit.
“Trupi gjykues pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar një dënim prej dy (2) vite burgim dhe një dënim plotësues prej dy (2) viteve ndalimi i funksioneve në administratën publike, pas vuajtjes së dënimit me burg”, bëhet e ditur në njoftimin e Gjykatës në Gjilan.
Në të njëtën aktgjykim, Gjykata shpalli aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve me inicialet V.Sh., M.Sh., B.M. dhe A.B., po ashtu zyrtarë komunal, pasi që nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale me të cilën janë ngarkuar “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij Aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.
