Aktuale
Zjarri shkatërron projektin restaurues 35 milionësh të Shkollës së Artit në Glasgow [video]
Ndërtesa e Shkollës së Artit në Glasgow, nga arkitekti skocez Charles Rennie Mackintosh, është përfshirë nga zjarri, 4 vjet pas zjarrit të kaluar që kishte përfshirë ndërtesën në të kaluarën.
Më shumë se 120 zjarrfikës morën pjesë në përpjekjet për të shuar zjarrin që ishte përhapur në të gjithë ndërtesën. Peter Heath, nga Shërbimi Skocez i Shpëtimeve nga Zjarri, tha për BBC se zjarri e kishte kapluar në mënyrë të konsiderueshme një pjesë të madhe të ndërtesës.
“Zjarri ishte i gjerë, kushtet ishin shumë të vështira dhe ishte e qartë se kjo do të ishte një incident shumë serioz dhe i vazhdueshëm. Ndërtesa është dëmtuar gjerësisht” tha ai.
Zjarri ishte përhapur nga dyshemeja deri në çati, dhe kishte arritur edhe në ndërtesat aty pranë, në klubin e natës Campus dhe në vendin e muzikës O2 ABC.
Shkolla e Artit në Glasgow zbuloi lajmin nëpërmjet rrjetit social Twitter. Videot dhe fotografitë e postuara në Twitter treguan flakë të mëdha mbi çatinë.
Zjarri ndodhi pikërisht ne kohën kur një restaurim i madh i udhëhequr nga arkitektët Page \ Park ishte afër përfundimit. Projekti prej 35 milionë funtash, përfshinte rikrijimin e bibliotekës, dhomën më të njohur në shkollë, e cila u shkatërrua në zjarrin e mëparshëm më 23 maj 2014.
Sipas Heath, të gjitha punimet e restaurimit ka të ngjarë të jenë shkatërruar në zjarrin e fundit.



