Aktuale
Dimensionaliteti i vërtetë i arkitekturës

Në realitetin e sotëm, ku shteti dhe shoqëria kosovare ende nuk e shohin ndërtimin si proces të krijimit të vlerave arkitektonike, libri i Albert Mustafës është një nismë e mirë, e cila mund të shërbejë për emancipimin kulturor dhe profesional jo vetëm të studentëve dhe arkitektëve shqiptarë, por edhe të lexuesit më të gjerë.
Me një qasje tërësisht të ndryshme nga ajo me të cilën ligjërohet arkitektura në universitetet tona, ky libër i vlefshëm synon që përmes trajtimit analitik dhe në të njëjtën kohë edhe kritik të veprave të arkitektëve botërorë, të vërë në pah rëndësinë dhe rolin esencial të arkitekturës në aspektin e përjetimit dhe perceptimit të objekteve arkitektonike nga vetë shfrytëzuesit e tyre, shkruan sot Arianit Bytyçi në Koha Ditore.
Besoj se të gjithë ne arkitektët që jemi këtu, por edhe të pranishmit e tjerë, jemi të vetëdijshëm se jo çdo ndërtesë është apo mund të quhet arkitekturë.
Një ndërtesë mund të konsiderohet vepër arkitektonike vetëm nëse ajo bëhet objekt i debatit kulturor për vlerat e saj. Në mënyrën e vet, Albert Mustafa në librin e tij e shpreh atë që e kanë shprehur edhe kritikë botërorë për arkitekturën dhe emocionet që krijon ajo tek njerëzit.
Alberti me konstatimet e tij është në linjë të mendimit me kritikun e mirënjohur Paul Golderberger, i cili thotë se “të bërit arkitekturë është e lidhur ngushtë me vetëdijen që duhet ta kemi se ndërtesat brenda nesh krijojnë reaksione emocionale.
