Trashëgimia
Vazhdimi i restaurimit në “Eminxhik” peng i projektit të ri

Qysh prej pjesës së dytë të muajit tetor të vitit që shkoi, ajo që njihet si shtëpia e familjes në kompleksin “Eminxhiku” mbetet e paqasshme për vizitorë.
Ndërhyrja për ta konservuar e restauruar këtë shtëpi tradicionale ka ngecur tash e gjashtë muaj, shkruan sot “Koha Ditore”. Qysh prej fundit të dhjetorit, objekti ka mbetur i rrethuar me najlon si vendpunishte në të cilën nuk punon askush.
Veç ajo që njihet si shtëpia e zjarrit është e hapur për vizitorët e Muzeut Etnologjik të Prishtinës, që për disa vite me radhë mbetet monumenti më i vizituar në të gjithë vendin. Fundi i shkurtit ishte paraparë si afat kur punonjësit do t’i ktheheshin restaurimit e konservimit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Muzeu i Kosovës e as Ministria e Kulturës ende nuk kanë afat për rifillimin e punimeve. E se kur i gjithë objekti do të jetë i qasshëm për vizitorë, mund të parashikohet tek në vitin e ardhshëm.
Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, ka thënë se duhet të ndërrojë qasja sa i përket vazhdimit të ndërhyrjes në këtë ndërtesë. Sipas tij, gjendja e re që është paraqitur gjatë gërryerjes së mureve kërkon një projekt të ri. Projektin e restaurimit e konservimit të këtij kompleksi e kishte realizuar Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Prishtinës, më 2016..
