Aktuale
Hapet tenderi për stabilizimin dhe konservimin e objektit të shkollës së parë shqipe në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka shpallur tenderin për stabilizimin dhe më pas konservimin e ndërtesës së shkollës së parë shqipe. Në rast se çdo gjë shkon siç duhet me pjesën e prokurimit, atëherë punimet pritet të nisin muajin tjetër, kështu ka bërë të ditur drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova.
Në këtë objekt që është drejt shkatërrimit dhe krejt afër objektit të Komunës së Prishtinës, kishte jetuar një familje e pastrehë. Sipas po të njëjtit njoftim Rugova tregon se para se të nisin procedurat e prokurimit publik, Komuna e Prishtinës kishte siguruar strehim për këtë familje që banonte në objektin e shkollës së parë shqipe në Prishtinë që ishte hapur në vitin 1908 dhe kishte 250 nxënës.
Paralelisht me këtë ndërtesë Rugova po thotë se do të nisë konservimi edhe i një ndërtese tjetër në Qendrën Historike, ku kështu do të nisin mbarë projektin për rehabilitimin e trashëgimisë kulturore në Prishtinë.
Postimi i plotë i Rugovës në facebook:
Në Prishtinë shkolla e parë shqipe është hapur në vitin 1908 dhe kishte 250 nxënës. Kjo ndërtesë, që po shihet edhe në fotografi (dhe që ndodhet krejt afër Komunës së Prishtinës), sot është e privatizuar. Për këtë arsye institucionet e kanë pasur të vështirë ndërhyrjen për rehabilitim deri më tani.
Deri para ca javësh aty jetonin disa familje pa strehë, në rrezikshmëri të lartë nga shembja. Komuna e ka siguruar strehimin adekuat për këto familje, kurse dje e kemi shpallur edhe tenderin për stabilizim dhe më pas konservim të ndërtesës. Nëse çdo gjë shkon në rregull me prokurim muajin tjetër fillojnë punimet.
Paralelisht me të do të nisë konservimi edhe i një ndërtese tjetër në Qendrën Historike, dhe kështu të nisim mbarë dhe konkretisht projektin për rehabilitim të trashëgimisë kulturore në Prishtinë në bashkëpunim me CHwB, QRTK dhe IKMM.
