Aktuale
“Vala” pagoi tre milionë euro qira për lokalin në shesh, në kontest pronësor për të është Lushtaku

Telekomi i Kosovës derisa po shkonte drejt falimentimit, nuk e kishte aspak problem të ndajë miliona euro për marrjen me qira të objekteve, pronarët e së cilave janë misteriozë ose të lidhur me politikën.
Dy milionë e 994 mijë 533 euro e 80 centë, ka paguar vetëm për këtë lokal, i cili është në një kontest ku lidhet emri i Sami Lushtakut.
‘Kohavisioni’ ka siguruar faturat që Telekomi i ka paguar kompanisë “Savinja Skupina Kosovo”, e që bazuar në të dhënat e ARBK-së, ajo është pronë e Ganimete Sadikajt.
Më 28 maj të vitit 2015, Telekomi kishte paguar faturën e parë, vlera e së cilës ishte 869 mijë e 140 euro, dhe kjo ishte paradhënie për 36 muaj qira për këtë lokal, e vetëm 3 javë më vonë në po të njëjtën llogari janë derdhur edhe 85 mijë e 860 euro.
Në dhjetorin e të njëjtit vit, më saktësisht me datën 4, Telekomi kishte realizuar 2 pagesa të ndryshme.
Pagesa e parë me vlerë prej 152 mijë e 640 eurosh shkoi në qira për muajt e papaguar të periudhës 18 shtator 2015 – 17 mars 2018.
Po në të njëjtën ditë është paguar shuma tjetër me vlerë 1 milion e 39 mijë e 820 euro e 76 centë, sipas një aneks-kontrate për paradhënien e qirasë për periudhën 18 shtator 2018 deri më 17 mars 2023.
Në vitin 2016 të mërkurën e parë të janarit, me datë 6, Telekomi që atëkohë drejtohej nga Agron Mustafa, pagoi faturën tjetër në vlerë prej 704 mijë e 80 euro për qiranë e objektit në shesh.
85 mijë e 858 euro u dhanë më 15 janar të 2016, derisa fatura e fundit u pagua më 16 shkurt të vitit 2016, vlera e së cilës ishte 58 mijë e 135 euro.
Telekomi ka paguar për 8 vjet shumën prej rreth 3 milionë eurosh, për këtë objekt që ndodhet prapa meje. Nëse kjo shumë pjesëtohet për 96 muaj, atëherë del që për një muaj Vala ka paguar mbi 31 mijë euro.
Telekomi i Kosovës, nëpërmjet postës elektronike, ka bërë të ditur se ka lidhur kontratë komerciale mbi qiranë me grupin “Savinja Skupina D.O.O. Dega Kosovë – Prishtinë, por nuk ka specifikuar se për sa kohë është kontrata e as sa është çmimi për muaj, pavarësisht se një pyetje e tillë është drejtuar nga KTV-ja.
“Objekt afarist në qendër të Prishtinës, sheshi ‘Nëna Tereza’ në sipërfaqe të tërësishme 942 m2 ( P+1+NK) dhe oborr 337 m2. Çmimi i qirasë është dakorduar në negociata me qiradhënësin dhe i është nënshtruar në dy raste ekspertizës/vlerësimit të Agjencisë eksterne të licencuar për prona dhe paluajtshmëri. Objekti shfrytëzohet nga muaji shtator 2015 nga TK SHA si: Pikë Shitëse, Kujdesi i Konsumatorëve dhe Qendër e Biznesit”, ka thënë Arsim Bilalli nga Telekomi i Kosovës.
Në anën tjetër, Agjencia i Privatizimit, e cila më parë e kishte hedhur në privatizim objektin që ndodhet në sheshin “Nënë Tereza” që para 1999-s shfrytëzohej nga ish-ndërmarrja shoqërore e konfeksionit “Beko”, ka thënë se aktualisht është duke hulumtuar për sigurimin e dokumenteve përkatëse, pasi objekti në fjalë, sipas certifikatës së pronësisë, figuron të jetë pronë private.
“Kohavisioni” ka provuar të vë kontakte me kompaninë “Savinja Skupina Kosovo”, në numrin e kontaktit që ndodhet në bazën e të dhënave në ARBK-së. Nga kjo kompani është paraqitur një person, i cili nuk ka dashur të identifikohet, por ka thënë se është vetëm përfaqësues i Savinjës për Kosovën.
Për të njëjtin objekt kishte pasur kacafytje ndërmjet Sami Lushtakut dhe Taip Sadikajt në njërën anë, dhe ish-gjyqtarit Sami Gërdovci, në anën tjetër.
Dy nëpunës të Gjykatës Komunale të Prishtinës që kishin për detyrë që të ekzekutonin vendimin e Gjykatës Komunale të Prishtinës që i njihte Bratislav Milenkoviqin e Jovica Simiqin për pronarë të objektit, për çka ekziston edhe një aktgjykimin i datës 26 tetor 2007.
Bazuar në aktgjykim, gjykata konkludoi se ekzistojnë dëshmi bindëse se Lushtaku e Sadikaj përdorën kërcënime serioze për të detyruar personat zyrtarë që të mos e ekzekutojnë vendimin gjyqësor.
Lushtaku është dënuar me burgim prej katër muajsh me kusht për këtë rast, ndërsa Sadikajt i është shqiptuar vërejtje gjyqësore.
Pronarja aktuale e këtij lokali Ganimete Sadikaj e kishte parashtruar në komunë kërkesën për renovim të objektit bashkë me Taip Sadikajn i cili bashkë me Sami Lushtakun kishin penguar zbatimin e vendimit gjyqësor për këtë lokal.
