Aktuale
Bllokohet rruga, Bechteli e Ministria nuk morën parasysh kërkesat e banorëve

Për gati një vit banorët e fshatit Kovaçec të Kaçanikut kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe kompania “Bechtel&Enka” që të rregullojnë reshetat e ujit. Meqë kërkesat e tyre shkuan në vesh të shurdhër, banorët atje në mëngjesin e sotëm duke filluar nga ora 09:00 kanë bllokuar rrugën.
Derisa në vendin e ngjarjes ku po vazhdonë edhe në këto momente të jetë e bllokuar rruga, ka dalë Policia e Kosovës.
Banori i fshatit Bekim Troni, i tregoi Ndërtimi.info se banorët e një fshatit tash e sa kohë nuk kanë ujë të pijshëm. Ai tregon dhe problemet tjera që po ballafaqohen nga punimet që janë bërë gjatë ndërtimit të Autostradës “Arbën Xhaferi” nga kompania “Bechtel&Enka”.
“Rruga e bllokuar e fshatit Kovaçec do të jetë deri kur kërkesat e tyre të merren parasysh. Ne e kemi bllokuar rrugën qysh në orën 9:00. Kërkesat janë qysh kanë qenë vitin paraprak për reshetat e ujit që janë të parregullta në fshatin tonë, Uji është i qitur nëpër pjesë ku nuk ka pas vija të ujit, do të thotë në mes të lagjes. Janë dy, tri raste të tilla. Kemi problem të kyçjes së një lagjes komplet. Dhe kemi problem me ujë të pijshëm të disa banorëve që janë pa ujë të pijshëm”, tregon Troni.
Troni, ka treguar edhe për kërkesat që kishin bërë si banorë dhe meqë deri më tani nuk kanë parë veprime nga Ministria dhe kompania atëherë ai thotë se rruga do të vazhdojë të jetë e bllokuar.
“Ne vitin e kaluar kemi bërë kërkesat, por këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga kompania “Bechtel&Enka” e as nga Ministria e Infrastrukturës. Pas bisedave që i kemi bërë me banorët e fshatit ne jemi të vendosur që pa filluar realizimi i kërkesave apo pa u bërë një shkrim prej kompanisë ose Qeverisë ne nuk do ta lirojmë rrugën”, tha ai.
