Aktuale
Promovohet libri “Dimensioni i përjetimit dhe përceptimit në arkitekturë”, i autorit Albert Mustafa

Në Panairin e 20-të të librit “Prishtina 2018 Book Fair”, u promovua edhe libri “Dimensioni i përjetimit dhe përceptimit në arkitekturë”, me autor Albert Mustafën.
Arjeta Shabani
Gjatë promovimit nga profesorë dhe arkitektë, për librin u tha se është një kontribut i shtuar për arkitekturën dhe për vetëdijesimin për rolin që ka arkitektura në mjedisin tonë.
Banush Shyqeriu, profesor në Fakultetin e Arkitekturës në UBT, tha se ky libër është një përmbledhje e guximshme për këtë tematikë për herë të parë në gjuhën shqipe. Gjersa shtoi, se ky libër duhet të merret si përkujtues se si arkitetktët duhet ta mbështesin fenomenin e përceptimit dhe përjetimit.
Për librin foli edhe arkitekti Arianit Bytyqi, i cili tha se ndjehet i nderuar që po merr pjesë në një promovim të një libri të tillë. Bytyqi tha se ka pak libra për arkitekturën që janë të shkruara nga arkitektët shqiptarë, prandaj një botim i tillë është një kontribut i shtuar për arkitekturën.
Arkitekti Bytyqi tha se përmes këtij libri, autori e shpreh atë që e kanë shprehur edhe arkitetktëtë botërorë, madje tha se ai është edhe në një linjë të mendimit me ta.
“Alberti me guxim, dije dhe argumente paraqet dështimet e disa prej arkitektëtëve të njohur, si dhe përmes tyre synon të tregojë për rëndësinë e komunikimit mes investitorit dhe arkitektit”, tha Bytyqi.
Ndërsa, vet autori i librit, Albert Mustafa tha për Median “Ndërtimi.info”, se ky është libri i parë që trajton një tematikë të tillë, pasi që nuk ka libra të tjerë që kanë shkruar për arkitekturën në këtë dimension.
Për botimin e tij, ai thotë se nuk është ndihmuar nga institiucionet. Që të dalë në dritë ky libër, thotë se e kanë ndihmuar studentët dhe disa kompani private.
Por, autori duket se nuk do të ndalet me kaq. Ai planfikon që të hedhë në botim edhe një libër tjetër për arkitekturën, gjersa thotë se ende nuk është përcaktuar për qasjen në të cilën do ta trajtojë.
“Nëse ky libër ka sukses, planifikoj që të shkruaj edhe një libër tjetër për arkitekturë. Ndërsa, nëse rriten kërkesat e tjera për kët libër do ta ribotoj, pasi që nuk ka shumë kopje”, tha Mustafa për “Ndërtimi.info”.
Deklaron se deri tani ka pasur shumë kërkesa për këtë libër. 50 libra thotë se janë blerë nga studentët ende pa dalur libri në botim, të cilët me blerjen e librit kanë dhënë edhe kontribut për botimin e tij.
Ndërsa deri tash janë shitur rreth 100, pra dikur rreth 50% e kopjeve të këtij botimi. Për të interesuarit e tjerë, ai tha se librin mund ta gjejnë tek shtëpia botuese “Dituria” me 30 % zbritje. /Ndërtimi.info
