Aktuale
A u privatizua “Ramiz Sadiku” me milionat e Fondit “Vendlindja thërret”?

Privatizimi i njërës nga ndërmarrjeve më të mëdha shoqërore në Kosovë “Ramiz Sadiku” po pretendohet se u bë me paratë e mbledhura në Fondin “Vendlindja thërret”. Por, çka e lidhë Xhavit Halitin e Azem Sylën dhe milionat e humbura të këtij fondi e të atij që ekzistoi edhe pas luftës, Fondi i 3% me privatizimin e “Ramiz Sadikut”?
Gazeta Express ka shkruar për milionat e humbura nga dy fondet, “Vendlindja thërret” dhe ai i tre për qindëshit dhe tani pretendohet se shuma të mbledhura në fondin “Vendlindja thërret” kanë devijuar dhe kanë shkuar në privatizime të pas luftës.
Privatizimi i ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku” u bë më 27 qershor të vitit 2006 dhe çmimi ishte më shumë se 14 milionë euro.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Privatizimit, në përgjigje për Gazetën Express thonë se blerësi i ndërmarrjes “Ramiz Sadiku” është Edmond Kërliu nga Maqedonia dhe ajo u ble me çmim 14, 202,999.00 euro.
“Blerësi është nga Maqedonia – Edmond Kërliu dhe çmimi është 14,209,999.00 €. Aseti është shitur me spinf off të rregullt”, thonë Agjencia për Express.
Por, çka lidhet privatizimi i kësaj ndërmarrjeje me Fondin “Vendlindja thërret”?
Në një intervistë për Gazetën Express, ish-anëtari i Lidhjes Popullore të Kosovës (LPK), Ibrahim Kelmendi, ka bërë të ditur se ekziston një lidhje e fortë në mes të kompanisë që privatizoi “Ramiz Sadikun” më 2006’n, dhe Fondit që u krijua në kohë lufte për ushtarët e UÇK’së ‘Vendlindja thërret”.
Gazeta Express këtë javë ka shkruar për “Dervish Sadikajn” me emrin origjinal Burim Marmullaku, i cili dyshohet se ka pranuar 3 milionë marka gjermane nga Qeveria e Bukoshit. Për “Dervishin” Ibrahimi ka thënë se ishte njeri i Xhavit Halitit dhe Azem Sylës. Ai gjithashtu pretendoi se ato të holla asnjëherë nuk u dorëzuan për nevojat e ushtarëve të UÇK’së ashtu siç ishin të parapara.
I pyetur gjatë intervistës se çka ka ndodhur me ato para të cilat i pranoi “Dervishi”, ish-anëtari i LPK’së dhe ish-ushtari i UÇK’së tha se ato të holla “Dervishi” ua ka dorëzuar eprorëve të tij, Xhavit Halitit dhe Azem Sylës.
Kelmendi pretendon se këta dy të fundit, i kanë shpërdoruar ato mjete, siç thotë, “si shumicën e mjeteve të Fondit ‘Vendlindja thërret’”. Gjithashtu, ai thotë se druan se pjesën më të madhe të atyre financave, Haliti dhe Syla duhet të ia kenë besuar njerëzve të Fatos Nanos dhe njerëzve në Maqedoni.
Ibrahim Kelmendi tha për Gazetën Express se, “Banda e Xhavit Halitit” druan se kanë blerë nga Agjencia e Privatizimit ish-truallin e Kombinatit ndërtimor “Ramiz Sadiku”, me ato para që, sipas tij, iu dorëzuan atyre nga Xhavit Haliti dhe Azem Syla.
E që nga privatizimi i ndërmarrjes shoqërore “Ramiz Sadiku”, janë mbledhur gjithsej 22 milionë e 939 mijë e 860 euro. Në total deri më tani Agjencia ka shpërndarë mbi 74 milionë euro nga pjesa e 20 për qindëshit.
Kush është Edmond Kërliu?
Edmond Kërliu është pronar i kompanisë së investimeve “ENK Invest Group”, e cila ka investuar shumën prej 250 milionë euro për ndërtimin e ndërtesës më të madhe në Ballkan, e cila ka nisur të ndërtohet tash e disa vite në qendër të Prishtinës.
Investimi në këtë ndërtim gjigant thuhet se është 250 milionë euro.
