Aktuale
Prokuroria i futet punës për 53 milionëshin e dhuruar “Bechtel&Enka”s

53 milionëshi që do ta marrë “Bechtel&Enka” nga buxheti i Kosovës, ka bashkuar Prokurorinë e shtetit dhe Policinë e Kosovës për të filluar hulumtimet nëse është kryer ndonjë vepër penale në këtë proces.
Kështu ka treguar kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi për Gazeta Blic.
“Ne bashkë më Policinë e Kosovës jemi duke punuar në këtë drejtim, jemi duke mbledhur informata dhe të dhëna tjera, për më vërtetu dyshimin e arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale, e nëse është kryer ndonjë vepër penale, atëherë mund ta targetojmë subjektin i cili do të jetë nën hetime”, ka theksuar Lumezi.
Lumezi sqaroi, se pasi t’i kenë informacionet e mjaftueshme, atëherë do të shikohet se a ka vend për ndjekje penale.
“Një herë jemi vetëm duke mbledhur informacione të mjaftueshme për të gjithë procesin e pastaj do të shikojmë se a ka vend për ndjekje penale apo nuk vend”, përfundoi ai.
Ditë më parë, Qeveria Haradinaj ka marrë vendim që t’i ndajë 52 milionë euro për Konsorcium “Bechtel Enka”, në emër të shpenzimeve shtesë që ky operator ekonomik pretendon se i ka bërë gjatë ndërtimit të autostradës për Shkup.
Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, kishte deklaruar se këto para po i ndajnë për të shpëtuar shtetin nga procese të dëmshme gjyqësore.
Por, “Gazeta Blic”, ka raportuar, se Kompania “Bechtel & Enka” dhe Ministria e Infrastrukturës në vitin 2016 kishin arritur pajtueshmëri për kosto shtesë për zgjatje të periudhës së kontratës deri në fund të vitit 2018 në vlerë prej 14.7 milionë euro e cila më vonë është ngritë në 53 milionë euro.
Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës të nënshkruar nga ish-ministri Lutfi Zharku lidhur me aneks – marrëveshjen e arritur me kompaninë “Bechtel & Enka”. MI më 30 shtator të vitit 2016 kishte aprovuar aneks-in e kontratës “Projekti për dizajnimin dhe ndërtimin e autostradës rruga 6 Prishtinë – Hali i Elezit” me konserciumin Bechtel – Enka. Po ashti përmes këtij vendimi, MI i kishte rekomanduar Qeverisë së Republikës së Kosovës të miratojë këtë Vendim mbi aprovimin e Kontratës.
Kosto shtesë në vlerë prej 14.7 milionë euro është vërtetuar edhe nga “Hill Internacional”, kompani mbikëqyrëse e projektit të autostradës Prishtinë – Hani Elezit e njohur ndryshe edhe si autostrada “Arbën Xhaferi”.
