Aktuale
Kërcënimi i banorëve për mospunësimin në KEK – Qeveria ka një përgjigje

Banoret e Hades dhe Shipitullës kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës për mos realizimin e premtimit të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, për punësimin e një anëtari të një familje në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Këta banorë nuk i priti askush nga kabineti i kryeministrit. Arsyetimi u dha nga vetë Haradinaj përmes zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Ai tha se askush nuk është i lirë për të biseduar me banorët.
“Kryeministri tha se komplet ekipi i tij është në detyra të caktuara prandaj nuk mundet askush me u taku me juve[banorët]. Ai e pa kërkesën e juve dhe tha se ju thërret në telefon kur do që ka kohë”, përcjelli para banorëve fjalët e kryeministrit një nga zyrtarët policor.
Nexhmedin Mjekiqi përfaqësues i lagjes Mjekiqi nga fshatit Shipitull, thotë se procesi i shpronësimit ka arritur gati përfundimin, por sipas tij premtimi i Haradinajt për punësimin e një anëtari nga një familje nuk është realizuar ende.
“Këtu është një popullatë e konsiderueshme që po e shprehin pakënaqësinë e tyre me rastin e vonesës së çështjes më të ndjeshme të punësimit për këta të rinj që është premtuar dhe janë dhënë deklarata publike disa herë nga vetë kryeministri. Tani procesi i shpronësimi është duke ecur gati në fund me disa vështirësi këto vështirësi i takojnë të ashtuquajturit një komision i pavarur i shkallës së dytë që nuk ka treguar seriozitetin kryerjes së detyrave”, ka thënë ai.
Mjekiqi pretendon se në KEK janë punësuar disa persona kohën e fundit, por që askush nuk bënë pjesë nga banorët e fshatrave Hade dhe Shipitullë.
“Por një gjë është e çuditshme se në KEK ka ndodhur një punësim i disa personave të caktuar ku asnjë qytetarë i kësaj zone nuk është punësuar por janë pranuar disa persona të mbikualifikuar. Fatkeqësisht asnjë anëtarë i familjeve të shpronësuarve nuk është punësuar”, ka deklaruar ai.
Sylejman Krasniqi një tjetër banor nga këto fshatra tha se nëse premtimi i kryeministrit nuk realizohet ata përsëri do të protestojnë sikurse herën e kaluar.
“Nëse nuk ndërmerren hapa shumë të shpejt për punësimin e banorëve të shpronësuar ne shumë shpejt do të detyrohemi të marrim masa dhe të protestojmë me ekskavator ashtu siç ka ndodh në të kaluarën”, ka thënë ai.
Por Donjeta Gashi këshilltare e kryeministrit Haradinaj për Insajderin ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mundet askënd ta punësoj. Thotë se premtimi i Haradinajt ka qenë tu jepet përparësi këtyre banorëve dhe jo punësimi i tyre për shkak se është jo ligjore.
“Qeveria nuk guxon me punësuar njerëz me rekomande sepse është jo ligjore. Ajo për të cilën po flitet është me u dhënë përparësi njerëzve nga këto familje për punësime në KEK. Dhe është KEK që menaxhon me këtë proces. Qeveria nuk ka premtuar punësim direkt për këto familje sepse nuk guxon me favorizuar njerëz të caktuar, po nëse ka vende të lira dhe personat nga ato familje konkurrojnë atëherë janë zotu me ju dhanë shtytje”, ka thënë ajo për Insajderin.
