Arkitekturë
Arkitektët botërorë me emër që do vijnë në Festivalin e Arkitekturës në Kosovë

Festivali i Arkitekturës këtë vit vjen nga data 2 korrik i cili do të zgjasë deri më 1 tetor, duke përfshirë shumë aktivitete përgjatë kësaj periudhe kohore në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Prizren e Ferizaj.
Fondacioni Kosovar i Arkitekturës në bashkëpunim me Future Architecture Platform organizon edicionin e 6-të të Festivalit të Arkitekturës në Kosovë i cili njëkohësisht mban titullin e ngjarjes më të madhe të arkitekturës në vendin tonë.
Ligjëratat që do mbahen në hapësirat e Muzeut të Kosovës do përfshijnë emra të ndryshëm të arkitekturës që do të vijnë nga vende të ndryshme të botës për të ndarë eksperiencat e tyre me publikun kosovar. Përpos ligjëruesve nga Future Architecture Platform, ligjëruesit më të dalluar sivjet janë:
Ivan Blasi i cili ka studiuar në fushën e arkitekturës në Barcelona Architecture School (ETSAB-UPC). Pasioni për një profesion që merret me shumë çështje kritike të shoqërisë e solli për të eksploruar se si përputhet me politikë, teknologji , ekonomi dhe mbi të gjitha njerëzit.
Në kundërshtim me individualizmin, Ivan Blasi ka bashkëpunuar me zyre dhe institucione arkitekturore të ndryshme, si Docomomo International dhe Fundació Mies van der Rohe ku nëpërmjet tyre pati mundësi të bashkëpunonte me institucione të tjera anembanë botës.
Pastaj Rainer Mutsch nga Austria i cili studioi Dizajn të Mobiljeve në Denmarks Design Skole Copenhagen, Dizajn të Produkteve në University of Arts Berlin dhe përfundoi studimet e Dizajnit Industrial (Prof. Paolo Piva) në University of Applied Arts Vienna në Vienë.
Rainer Mutsch më pas kishte punuar si projektues kryesor për Werner Aisslinger në Berlin për disa vite përpara se të hapte studion e tij të dizajnit me fokus në dizajnin e produkteve në Vienë, 2008. Thellësisht i përkushtuar për të krijuar dizajne me funksion. një pjesë e rëndësishme e procesit të dizajnit për Rainer Mutsch është zbulimi potencialit të plotë të gjësendeve.
Pas Mutsch, pjesë e festivalit do të jetë edhe Lera Samovich e cila diplomoi në arkitekturë pranë Moscow School of Architecture pasi që studioi edhe në Moscow Architectural Institute.
Samovich kishte punuar me Alexander Brodsky, Evgeny Asse dhe Nowadays Office në Moskë. Aktualisht është e angazhuar në hulumtimin pasuniversitar mbi Alvaro Siza në Faculdade de Arquitectura do Porto. Që nga vitin 2016 iu bashkua grupit fala atelier pasi bëri praktikën e saj të parë në 2014.
E pjesë e këtij festivali nuk ka se si të mos jetë edhe Eliza Hoxha, e cila ishte kuratore e paviljonit kosovar në Ekspozitën e 16-të të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut këtë vit.
Eliza është e njohur për punën e saj në fushën e arteve pamore, muzikës dhe fotografisë. Ka studiuar në fushën e arkitekturës dhe urbanizëm dhe është kandidate për PhD në Graz University of Technology, Austri. Hoxha, është profesoreshë në fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës.
