Aktuale
Në Ranillug edhe donatorët e jashtëm paguajnë TVSH-në
Ndonëse janë të liruar nga pagesat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe me ligj, në Komunën e Ranillugut donatorët e jashtëm po e paguajnë TVSH-në. Në dy raste ku bashkë financues ishin donatorët, komuna kishte paguar në llogari të përfituesve vlerën e plotë të faturave duke mos zbritur vlerën e TVSH-së, shkruan Ndërtimi.info
Këtë të drejtë ligjore komuna nuk e kishte paraparë me rastin e lidhjes së kontratave.
“Te pagesa për projektin “Rregullimi i lumit” në vlerë 15,892€, është paguar gabimisht edhe vlera e TVSH-së prej 2,424€; si dhe te pagesa për projektin “Rregullimi i platos” në vlerë 14,669€, gjithashtuështë paguar gabimisht vlera e TVSH-së prej 2,238€”, është një prej gjetjeve që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditorit për Komunën e Ranillugut.
E pagesat e TVSH-së nga mjetet e financuara nga donatorët të cilët janë të liruar me ligjet vendore,Auditori vlerëson se rrit rrezikun për zvogëlim të donacioneve si dhe komuna zvogëlon mundësitë e përfitimeve maksimale nga donacioni i dhënë.
Ndërsa rekomandon Kryetarin e Komunës që të siguroj se ka shtuar kontrollet në rastet e bashkëfinancimeve me donatorë të jashtëm, për të siguruar se pagesat bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi (Ligjin e TVSH-së), si dhe të kërkoj nga operatoret ekonomik të korrigjojnë faturat e tyre dhe vlerën e TVSH-së, ta kthejnë në llogari të komunës./Ndërtimi.info



