Aktuale
Salla sportive në Ranillug që duhej të ndërtohej në 2017-ën, nuk ka përfunduar ende

Salla sportive që ishte planfikuar të ndërtohej në Ranillug vitin e kaluar, nuk ka përfunduar as sot e kësaj dite. Ndonëse sipas kontratës, ndërtimi i kësaj salle do të duhej të përfundonte më 10 dhjetor të 2017-ës, ky projekt është lënë në gjysmë tash e sa kohë, ngase kompania kishte ndërprerë punimet në mënyrë të njëanshme e pa ndonjë arsyetim, shkruan Ndërtimi.info.
Sipas buxhetit fillestar, komuna për këtë projekt kishte ndarë 125 mijë euro.
“Me datën 12/09/2017 komuna kishte shpërblyer operatorin ekonomik më të favorshëm, duke lidhur kontratë me vlerë 113,421€. Sipas kontratës projekti duhet të përfundonte me 10/12/2017. Për punët të cilat janë realizuar, komuna kishte paguar 53,013€”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Ranillugut.
Por, kompania ishte vonuar në përfundimin e punëve, dhe me datë 29 dhjetor të 2017-ës në mënyrë të njëanshme kishte ndërprerë punimet pa ndonjë arsyetim dhe pa pajtimin e menaxherit të kontratës. E përkundër kësaj komuna nuk kishte ndërmarrë hapat e duhur për të konfiskuar sigurimin e ekzekutimit, 10% të vlerës së kontratës.
Zyra Kombëtare e Auditimit, ndërprerjen e punimeve në mënyrë të njëanshme si dhe mos konfiskimin e sigurimit të ekzekutimit, konsideron se e rrit rrezikun e mos përfundimit të punimeve sipas afatit kohor të paraparë si dhe rrit shpenzimet tjera për tenderim të ri.
Gjersa rekomandon Kryetarin e Komunës që të sigurojë se ka shtuar kontrollet në procesin e menaxhimit të kontratave, në mënyrë që punët të realizohen në përputhje të plotë me kushtet e kontraktuara.
“Në rastet kur pa ndonjë arsye operatori ekonomik ndërprenë kontratën, atëherë komuna duhet të konfiskojë sigurimit të ekzekutimit”, thuhet në raportin e Auditorit./Ndërtimi.info
