Aktuale
Apeli kthen në rigjykim ankesën për dëmtim të shtëpisë nga ndërtimet në fqinjësi

Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka kthyer në rigjykim procesin gjyqësor ndaj kompanisë ndërtimore “Driloni Com” dhe komunës së Prishtinës, të cilat janë paditur nga Arsim Gllogu për dëmet që i janë shkaktuar në shtëpinë e tij.
Vendimi i Apelit vjen pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte dhënë të drejtë kompanisë që ta fillojë ndërtimin e objektit afër shtëpisë së familjes Gllogu.
Arsim Gllogu po pretendon së nga një ndërtim i lartë afër pronës së tij në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, në dhjetor të vitit të kaluar, i është dëmtuar shtëpia në të cilën ishte duke jetuar dhe biznesi.
Në këtë datë, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Prishtinë i rekomanduan familjes Gllogu që ta lirojë shtëpinë pasi që ajo rrezikon të shembej.
“Shtëpia ime është e çarë dhe është e dëmtuar në shumë pjesë dhe vazhdon endë të pësojë dëme në shumë pjesë. Ky dëm ka ndodhur shkaku i rrëzimit të pilotëve të cilat nuk janë punuar konform projektit nga kompania “Driloni Com” e cila është duke punuar në pjesën e poshtme të shtëpisë”, tha Gllogu.
Zyrtarët dhe inspektorët e Emergjencave në Komunën e Prishtinës më 8 dhjetor 2017 kishin dalë në vendin e ngjarjes dhe 4 ditë me vonë këtë rrezik e kishin konstatuar edhe në shkresat zyrtare se shtëpia e familjes Gllogu rrezikon të shembej pasi është krijuar një hapësirë e dheut ndërmjet themeleve të shtëpisë dhe sipërfaqes së dheut nën pllakën dhe themelet e saj.
